I nxehti ekstrem ndez alarmin, zjarret vërshojnë në të gjithë vendin

Qeveria bullgare ka lëshuar alarmin e kuq të rrezikut, pasi zjarret masive kanë vërshuar në të gjithë vendin pas një vale të të nxehtit ekstrem.

Ushtria dhe helikopterë të forcave ajrore po luftojnë me zjarret në pjesët qendrore dhe juglindore të vendit. Në total, 21 nga 28 rajone janë të rrezikuara.

Në 24 orët e fundit, zjarrfikësit janë marrë me mbi 200 raportime për flakë në mbarë vendin. Deri më tani nuk raportohet për viktima.
Zjarret në provincën qendrore të Plovdivit shkatërruan rreth 20 000 hektarë pyje kryesisht halore. Osogovo, një tjetër varg malor në kufirin me Maqedoninë e Veriut, është gjithashtu në zjarr.

Meteorologët paralajmërojnë se moti do të bëhet më i nxehtë, me temperatura që do të arrijnë deri në 43-44 gradë celsius. Zjarrfikësit kanë bërë apel që njerëzit të mos ndezin zjarre dhe të mos hedhin bishtat e cigareve nga xhamat e makinave.


Shtuar 15.07.2024 16:07