Ditën e djeshme, një ngjarje e rëndë raportohet se ka ndodhur në Podujevë, ku nënë e bijë janë arrestuar, pasi akuzohet se janë përfshirë në vrasjen e një foshnjeje të porsalindur.
Një 19-vjeçare, nëna e foshnjes është njëra nga të arrestuarat, e cila dyshohet se ka kryer ab*rt të kundërligjshëm dhe më pas ka kërkuar ndihmë mjekësore në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
Sipas mediave në Kosovë, vajza 19-vjeçare teksa ishte 7 muajshe shtatzënë, në bashkëpunim me nënën e saj, pasi e ka lindur foshnjën në banjon e shtëpisë, dyshohen se e kanë hedhur në tualet.
Për rastin e rëndë kanë reaguar edhe Prokuroria Themelore në Prishtinë dhe Policia.
“Rastit të cilit i referoheni, ju njoftojmë se Prokurori i Shtetit ka lëshuar aktvendim mbi ndalimin e dy personave (të gjinisë femërore), për shkak të dyshimit se të njëjtat kanë kryer veprat penale “Vrasja e foshnjës gjatë lindjes” dhe “Ndihma në vrasjen e foshnjës gjatë lindjes”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë.
“Raportohet se në QKUK ka kërkuar tretman mjekësor e dyshuara femër kosovare e cila dyshohet se ka qenë shtatëzënë dhe ka abortuar në mënyrë të paligjshme. Lidhur me rastin janë arrestuar dy të dyshuara dhe me vendim të prokurorit dërgohen në mbajtje”, – njoftoi Policia.
Sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës, nëna që i merr jetën foshnjën së vet gjatë lindjes apo menjëherë pas lindjes, derisa te ajo vazhdon çrregullimi i shkaktuar nga lindja, dënohet me burgim prej tre muaj deri në tre vite.