Kuvendi i Kosovës do të mblidhet të enjten, më 12 nëntor, në orën 10:00. Datën dhe orën e seancës së radhës i bëri të ditura të hënën Arbërie Nagavci, shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit.
Sipas Nagavcit, deputetët do të nisin me deklarimet jashtë rendit të ditës dhe pyetjet parlamentare. Më pas pritet të shqyrtohen katër marrëveshje ndërkombëtare në fushën e drejtësisë, të cilat kaluan të hënën në Komisionin për Legjislacion.
Të lidhura
None found
Pas marrëveshjeve, në rendin e ditës është interpelanca me ministrin e Shëndetësisë, e iniciuar nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK). Seanca do të vijojë me mocionin përmbajtjesor për çështjen e energjisë.
Debatin për energjinë e ka iniciuar Besnik Tahiri, shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës. Ai e cilësoi këtë një nga çështjet më të rëndësishme për Kosovën, duke përmendur mungesën e energjisë elektrike, çmimin e rrymës dhe transaksionet për blerjen e saj.
Tahiri kritikoi qeverinë Kurti dhe tha se, gjatë gjashtë viteve të qeverisjes, për blerjen e rrymës janë shpenzuar mbi 1 miliard euro. Sipas tij, kjo çështje kërkon hetim si nga Prokuroria, ashtu edhe nga Parlamenti. Ai e quajti të pabesueshme që B1 nuk është rinovuar për gjashtë vjet dhe tha se aktualisht nuk është në funksion e nuk do të vihet në punë as këtë dimër.







