Arrihet marrëveshja, Izraeli heq vizat për shtetasit e Kosovës

Izraeli i ka hequr vizat për qytetarët e Kosovës, duke u bërë kështu shteti i 50-të që mundëson lëvizje të lirë për kosovarët.

Nënshkrimi i marrëveshjes në mes të dy shteteve u bë sot në Prishtinë, nga ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës, Donika Gërvalla, dhe ministri i Brendshëm i Izraelit, Moshe Arbel.

Dy shtetet zyrtarizuan marrëdhëniet diplomatike në shkurt të vitit 2021. Atyre iu parapriu ajo që njihet si Marrëveshja e Uashingtonit, të cilën Kosova dhe Serbia e nënshkruan më 4 shtator të vitit 2020, me qëllim normalizimin e marrëdhënieve ekonomike.

Kosova hapi ambasadën e saj në Jerusalem në korrik të vitit 2021, në këmbim të njohjes së pavarësisë së saj nga Izraeli. Izraeli është vendi i fundit që e njohu pavarësinë e Kosovës. Nga vendosja e marrëdhënieve diplomatike, Kosova shënoi edhe rritje të shkëmbimeve tregtare.

Në vitin 2022, vlera e importeve nga ky shtet arriti në 42 milionë euro, prej 22 milionë sa ishte në vitin 2020 kur dy vendet nuk kishin lidhje diplomatike.

Prej 1 janarit, shtetasit e Kosovës me pasaporta biometrike udhëtojnë lirshëm në shtetet e zonës Shengen, në Evropë. Më 5 janar u bë e ditur se ata mund ta vizitojnë edhe Spanjën, pas një njoftimi nga Departamenti për Migrim dhe Çështje të Brendshme i Komisionit Evropian, se Spanja njeh tashmë pasaportën e zakonshme kosovare.

Aktualisht janë 107 shtete që vazhdojnë të kërkojnë viza për vizita nga Kosova, ndërsa 39 vende mundësojnë viza në mbërritje për qytetarët e Kosovës.

 


Shtuar 18.06.2024 15:38