Minutat e fundit/ Shqipëria akoma në disavantazh, nuk ndryshon rezultati në Dortmund

Nisja ishte e njëjtë me atë të një përralle “Hirusheje”, mirëpo fundi i fraksionit të parë të lojës rezultoi të ishte totalisht i kundërt, me Italinë, kampione në fuqi e Kampionatit Evropian të futbollit, që ka tregruar se jo më kot e ka fituar këtë trofe dhe duket se kërkon ta mbrojë edhe në këtë edicion, të këtij turneu madhor futbollistik.

Pjesa e parë e sfidës është mbyllur me rezultatin e ngushtë, 2 me 1, në favor të italianëve, megjithatë goli i parë i sfidës erdhi nga “fantazisti” i Sassuolo, Nedim Bajrami, i cili shënoi golin më të shpejtë në historinë e një Evropiani, pas vetëm 22 sekondash lojë, duke shtangur kundërshtarët e duke nisur festën e “kuqezinjve” në tribunat e mbushura plot të “Signal Iduna Park”.

Megjithatë, vetëm 15 minuta më pas gjithçka ndryshoi me djemtë e teknikut, Luciano Spalletti, që shënuan dy herë në portën e “Legjionarëve”, me dyshen “Zikaltër”, Bastoni-Barrella, me “shtatlartin” e mbrojtjes, që dërgoi me kokë në rrjetë, një krosim të Dimarco, ndërsa “ylli” i mesfushës mposhti portierin Strakosha, me një goditje nga jashtë zone.

Tashmë e gjitha çka mbetur për t’u luajtur është pjesa e dytë e kësaj sfide, ku djemtë tanë do të kërkojnë me kërshëri golin e barazimit historik, që mund të na jepte 1 pikë mjaft të rëndësishme në rrugëtimin tonë evropian, megjithatë përballë katër herë kampionëve të botës, asgjë nuk do të jetë e lehtë.


Shtuar 15.06.2024 22:43