Dinamo konfirmon ndarjen nga Glen Daja, zëvendëstrajneri kalon te Elbasani

FC Dinamo City ka bërë të ditur përfundimin e bashkëpunimit me Glen Dajën, i cili largohet nga posti i zëvendëstrajnerit për të marrë drejtimin e AF Elbasanit, rivalit të saj në Superiore.

Klubi kryeqytetas i ka shprehur mirënjohjen Dajës për profesionalizmin, përkushtimin dhe punën e tij gjatë dy viteve si pjesë e stafit teknik të skuadrës.

Të lidhura

None found

Gjatë kësaj periudhe, ai kontribuoi në një sërë arritjesh të Dinamos, mes tyre fitimin e dy Kupave të Shqipërisë, një Superkupe dhe kualifikimin për dy sezone radhazi në fazën Play-Off të UEFA Conference League.

Presidenti Ardian Bardhi dhe e gjithë familja dinamovite e kanë falënderuar Glen Dajën për kontributin e dhënë, ndërsa i kanë uruar suksese në detyrën e re si trajner i parë i Elbasanit.

“FC Dinamo City njofton përfundimin e bashkëpunimit me zëvendëstrajnerin Glen Daja, i cili do të vijojë karrierën e tij si trajner i parë i AF Elbasanit.

Klubi e falënderon Glen Dajën për profesionalizmin, përkushtimin dhe kontributin e çmuar gjatë dy viteve të suksesshme si pjesë e stafit teknik të skuadrës sonë.

Gjatë kësaj periudhe, ai ka qenë pjesë e rëndësishme e arritjeve të Dinamos, duke kontribuar në fitimin e dy Kupave të Shqipërisë, një Superkupe dhe kualifikimin për dy sezone radhazi në fazën Play-Off të UEFA Conference League.

Presidenti Ardian Bardhi dhe e gjithë familja dinamovite i shprehin mirënjohjen për kontributin e dhënë dhe i urojnë suksese në këtë etapë të re të karrierës së tij si trajner.

Faleminderit për gjithçka dhe suksese, Glen!”, shkruan Dinamo.

Ndarja vjen në një moment delikat për ekipin kryeqytetas, i cili në javët e fundit ka pësuar dy humbje radhazi në Abissnet Superiore. Këto rezultate kanë bërë që Dinamo të humbasë terren ndaj Teutës dhe Egnatias në zonën e kreut të renditjes.


Shtuar më 21.10.2026 17:43