Pas humbjes 4-2 nga Paris Saint-Germaini në Ligën e Kampionëve, Raphinha u përpoq të ngrinte moralin e Barcelonës dhe të qetësonte skuadrën. Braziliani, që mban shiritin e kapitenit, mori rolin e liderit në dhomën e zhveshjes.
Në fjalimin drejtuar bashkëlojtarëve pas ndeshjes, sulmuesi u kërkoi të ruanin qetësinë dhe të vazhdonin përpara. Disfata i dha fund serisë së katalunasve prej 11 fitoreve radhazi.
Të lidhura
None found
“Është një humbje që mund ta përballojmë lehtësisht. Në ekip mbizotëron qetësia dhe ne do të vazhdojmë përpara”, u tha Raphinha lojtarëve.
Kapiteni përmendi edhe mungesat e rëndësishme për shkak të lëndimeve. Sipas tij, kur Barcelona i ka të gjithë lojtarët në dispozicion, ka potencial të përballet me ekipet më të mira.
“Ekziston ndjesia se, pa lëndime dhe me një formacion titullar ku janë Rodri, Eric Garcia, Kounde e të tjerë, kjo skuadër mund të konkurrojë dhe të fitojë ndeshje të tilla”, deklaroi ai.
Raphinha këmbënguli se katalunasit duhet të vazhdojnë në drejtimin e tyre dhe të mos lejojnë që disfata ndaj kampionëve francezë të ndikojë në pjesën tjetër të sezonit.
“Do të vazhdojmë në rrugën tonë dhe do të bëjmë atë që duam”, shtoi braziliani.
Ai foli me vlerësim për PSG-në, por theksoi se Barcelona tregoi se mund të rivalizojë skuadra të nivelit të lartë, pavarësisht rezultatit.
“Është një ekip i drejtuar shumë mirë. Pavarësisht rezultatit të sotëm, ne konkurruam mirë. Ishte një test i mirë që tregoi se mund të përballemi me ekipe të tilla”, përfundoi Raphinha.
Tani Barcelona do të përqendrohet te ndeshja e radhës: të dielën e pret një duel vendimtar me rivalin e përbetuar, Real Madridin, në “El Clasico”.






