“Kalaja e Klodianës”, në Peqin hap nesër portat për të mirëpritur në një mbrëmje madhështore qindra të ftuar, për të kurorëzuar më të bukurën e Shqipërisë.
Gjithçka është gati për natën e madhe të 7 qershorit, duke filluar nga skena, ndriçimi, muzika e veshjet, po ashtu dhe 25-vajzat të cilat të “mbërthyera” nga emocionet do të presin me ankth verdiktin e jurisë profesioniste e cila përbëhet nga emra të nderuar si, Jasmin Selberg-Miss International 2022; Sonia Sallaku, Miss Shqipëria 2023; Jorida Rustemi- Psikologe shumë e njohur; Lorinda Kolgeci- The Miss Globe 2020; Arbër Çepani- Sipërmarrës, moderator; Arbnora Ademaj- aktore; Marçela Lati- Sipërmarrëse; Pirro Beati- Fotograf; Argjend Gjigja- Këngëtar dhe Artenisa Ozaj- Moderatore, sipermarrese.
Nën moderimin e të bukurës, Drita Zirit e cila “rrëmbeu” kurorën e Mis Earth 2023 dhe ngriti lart emrin e Shqipërisë si dhe prezantuesit të njohur Ermal Peçit, spektakli i nesërm do të jetë i mbushur plot me supriza.
Dhjetëra artistë të njohur të skenës shqiptare si Stresi, Xhesika Polo, David Dreshaj, NRG Band, Altin Goci, Argjend Gjigja dhe Griselda Vogli do të ngjiten për të performuar në skenë si dhe me muzikën e tyre të “shkrijnë” sado pak vajzat.
Mbrapa gjithë këtij spektakli madhështor, i cili mund ta themi me bindje dhe plot gojë që është kompeticioni më i madh dhe magjik i bukurisë në vendin tonë qëndrojnë dhjetëra njerëz të cilët këtë rrugëtim për të zgjedhur ambasadoren e tokës shqiptare e kanë nisur dy muaj më parë.
Nga përzgjedhja e konkurrenteve, takimet me to dhe duke vijuar më tej punën për perfeksionuar paraqitjen skenike, në foto, të folurin në publik apo formën e mënyrën më të mirë të mundëshme për promovimin në rrjetet sociale.
S’ka qenë aspak e lehtë për organizatoren Alda Bida dhe stafin e saj që në mesin e qindra vajzave të bukura të zgjedhin ato më uniket. Ka qenë një angazhim vërtet impenjativ për të sjellë e zgjedhur më të mirat sepse pothuajse të gjitha konkurentet kanë mundësinë të përfaqësojnë Shqipërinë në mbi 16 konkurse Ndërkombëtare.
Ato, pak nga pak janë shndërruar në ambasadoret e bukura të tokës së tyre, duke marrë pjesë edhe në shumë nga promovimet e ambienteve e strukturave në favor të turizmit në jugun e vendi tonë.
Miss Shqipëri, prej 26 vitesh është porta më e madhe prej të cilës kanë dalë prezantuese televizive, gazetare, modele të famshme, këngëtare e aktore. Sepse Miss Shqipëria është jo vetëm një konkurs bukurie por një shkollë e mbështetje, për të gjitha pjesëmarrëset!