Kreshnik Hajrizi është rikthyer në fushë pas një periudhe të gjatë jashtë, duke luajtur 45 minuta në suksesin 2-0 të Sionit përballë Cham në Kupën e Zvicrës. Rikthimi i qendërmbrojtësit të Kosovës është lajm i mirë si për klubin zviceran, ashtu edhe për përfaqësuesen e Kosovës.
Futbollisti 27-vjeçar nuk kishte luajtur që prej 17 majit dhe gjatë kësaj kohe iu nënshtrua një operacioni. Ndeshja ndaj Cham shënoi hapin e parë drejt rikthimit të tij të plotë, ndërsa mbetet të vlerësohet reagimi fizik në takimet e ardhshme. Hajrizi u zëvendësua në pushim.
Të lidhura
None found
Sipas raportimit të Blick, drejtori sportiv i Sionit, Barthelemy Constantin, sqaroi se lojtari nuk kishte pësuar lëndim të ri: “Vetëm një goditje. Asgjë dramatike”.
Hajrizi mungoi në disa ndeshje të fundit të Ligës së Kombeve, por ishte sërish në dispozicion të Kosovës për kualifikimet e Botërorit. Me paraqitjet e tij në ato takime, ai dëshmoi rëndësinë që ka në repartin defensiv.
Kosova do të luajë kundër Izraelit dhe Irlandës në nëntor, ndërsa përzgjedhësi Franco Foda mund të ketë nevojë për alternativa shtesë në mbrojtje, sidomos nëse Lumbardh Dellova dhe Albian Hajdari vazhdojnë të mungojnë.
Nëse rikuperimi ecën pa pengesa dhe ai arrin të rifitojë ritmin e ndeshjeve, Hajrizi mund të bëhet një opsion i rëndësishëm për “Dardanët”. Mundësia për të qenë gati në sfidat e nëntorit do të varet nga gjendja e tij fizike dhe minutat që do të luajë me Sionin.





