Gërdeci/ Zbardhet dëshmia e Mediut në gjykatë: Përndiqem penalisht edhe pas 17 vitesh

Ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, i kërkoi Gjykatës së Posaçme të urdhërojë kryerjen e një akt ekspertimi të ri ekonomiko-financiar.

Gazetarja Klodiana Lala ka siguruar ëshminë e zotit Mediu në gjykatë.

Ish-ministri deklaron se në kohën kur ndodhi tragjedia e Gërdëcit, ka dhënë dorëheqjen nga posti për shkak të përgjegjësisë morale, por se përndjekja e tij penale vijon ende edhe sot pas 17 vitesh.

“E dhashë dorëheqjen për përgjegjësi morale, por kjo nuk mund të keqkuptohet dhe keqpërdoret si dobësi për t’u shndërruar në përndjekje penale për 17 vjet. Përndjekje që vazhdon kundër çdo ligji dhe rregulli për një proces të drejtë.

Padyshim, Gërdeci ishte tragjedi. I kuptoj dhe gjykimet e opinionit, por ashtu besoj të kuptoni dhe ju ftohtë se duhet të respektoni ligjin! Afërmendsh, në drejtësi nuk vepron dëshira, por vepron prova dhe ligji”, tha ai.

Mediu ka deklaruar se për aktet e ekspertimit nuk janë zgjedhur ekspertë të pavarur, por ekspertë të cilët sipas tij janë në konflikt të hapur interesi pasi janë përfaqësues të shtetit.

“Ju nuk keni zgjedhur ekspertë të pavarur, por keni zgjedhur ekspertët që doni, në kundërshtim të hapur me ligjin. Ata janë përfaqësues të shtetit, në konflikt të hapur interesi.

Pse nuk pranoni të bëni eksperimentin sesi ndodhi shpërthimi? Çfarë ju pengon? Apo vetëm fakti se e dini shumë mirë që keni ndërtuar një proces mbi një provë që nuk ekziston?

Për më tepër, çfarë kuptimi ka në një shtet të së drejtës, kur Prokurori që ka barrën e provës, nuk shpjegon të ashtuquajturat priva, por thotë; “aty i keni aktet, lexojini, se unë do të flas në fund””, deklaroi ai.

Në momentet që Mediu jepte deklaratën, familjarët e viktimave kanë reaguar.

“Po flet si në Parlament, ju jeni kriminel, s’ju dëgjojmë ju”, kanë deklaruar ata.


Shtuar 15.05.2024 11:52