Shqipëria, e 7-ta më e ndotura në Europë

Ndotja e ajrit është kërcënimi më i madh mjedisor për shëndetin e njeriut, duke shkaktuar një në çdo nëntë vdekje në mbarë botën.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), ndotja e ajrit është përgjegjëse për rreth 7 milionë vdekje të parakohshme në botë çdo vit.

Ekspozimi ndaj ndotjes së ajrit PM2.5 përkeqëson shumë kushte shëndetësore, duke përfshirë, por pa u kufizuar, në astmën, kancerin, goditjen në tru dhe sëmundjet e mushkërive.

Për më tepër, ekspozimi ndaj niveleve të larta të grimcave të imëta mund të dëmtojë zhvillimin kognitiv te fëmijët, duke çuar në probleme të shëndetit mendor dhe komplikime të sëmundjeve ekzistuese, duke përfshirë diabetin, thuhet në raportin për Cilësinë e Ajrit për vitin 2023, të përpiluar nga IQAir, një organizatë zvicerane e cila përpunon të dhënat e grumbulluara nga 30 mijë stacione të monitorimit në 134 vende të botës.

Studimi shqyrtoi në mënyrë specifike grimcat e imta, ose PM2.5, që është ndotësi më i vogël, por edhe më i rrezikshmi.

Vetëm 9% e 7812 qyteteve të marra në studim plotësonin standardin e OBSH-së, i cili thotë se nivelet mesatare vjetore të PM2.5 nuk duhet të kalojnë 5 mikrogramë për metër kub.

Këtu përfshihen Australia, Estonia, Finlanda, Grenada, Islanda, Mauritius dhe Zelanda e Re.

“Ne shohim se në çdo pjesë të jetës sonë ndotja e ajrit ka një ndikim“, tha CEO i IQAir Global, Frank Hammes.

Si pozicionohet Shqipëria?

Ajri që thithim çdo ditë po përkeqësohet nga viti në vit, sipas raportit.

Vendi ynë, renditet i shtati në Europë për nivelin e lartë të ndotjes së ajrit, ndërsa në botë renditet e 60-ta.

Përqendrimi mesatar vjetor i PM2.5 është 16.7, duke tejkaluar trefishin e kufirit të vendosur nga OBSH.

 

Edhe vendet e rajonit nuk paraqiten më mirë, fatkeqësisht.

Bosnjë-Hercegovina, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Serbia kryesojnë listën si vendet më të ndotura në Europë. Kosova renditet në vendin e 17-të.

Në renditjen e kryeqyteteve për nivelin e ndotjes së ajrit, Tirana është në vendin e 51 në botë, pas Shkupit dhe Podgoricës, përkatësisht në vendet e 30 dhe 36.

 

 

Në rajonin e Europës përfshihen 2006 qytete nga 43 vende. Pavarësisht nga një rritje e lehtë në nivelet mesatare vjetore të PM2.5, Islanda mbetet vendi më pak i ndotur me një përqendrim mesatar prej 4 µg/m3.

Bosnja Hercegovina, pa një rënie prej 18% në nivelet e PM2.5 në 2023 krahasuar me 2022, por mbetet vendi më i ndotur në Europë, duke raportuar një përqendrim mesatar vjetor prej 27.5 µg/m3.

Në një tendencë të përsëritur nga viti 2022, Islanda, Estonia dhe Finlanda, janë të vetmet vende në rajon që arrijnë nivelin e udhëzimeve vjetore të OBSH-së PM2.5.

Kroacia tregoi përparimin më të madh në vitin 2023, në uljen e niveleve të PM2.5 me mesataren vjetore që ra më shumë se 40% krahasuar me vitin 2022.

Mali i Zi përjetoi rritjen më të madhe absolute të përqendrimeve të PM2.5 me nivele vjetore që u rritën me më shumë se 4 µg/m3 në vitin 2023 për një mesatare vjetore prej 20 µg/m3.

Nivelet mesatare vjetore të PM2.5 ranë në vitin 2023 për 36 vende të rajonit, u rritën për gjashtë vende dhe mbetën konstante për një vend.

Në vitin 2023, 7% (135) e qyteteve në rajon arritën udhëzimin vjetor të OBSH-së për PM2.5 prej 5 µg/m3, duke përfshirë çdo qytet në Islandë.

Në rang global Begusarai, një qytet me gjysmë milion banorë në shtetin Bihar të Indisë veriore, ishte qyteti më i ndotur në botë vitin e kaluar me një përqendrim mesatar vjetor të PM2.5 prej 118.9 – 23 herë më shumë se udhëzimet e OBSH-së.

Ajo u pasua në renditjen e IQAir nga qytetet indiane të Guwahati, Assam; Delhi; dhe Mullanpur, Punjab.


Shtuar 20.03.2024 08:15