Zjarri në banesën në Vlorë/ Humb jetën një person, flet zjarrfikësi: Viktimën e gjetëm mes flakëve

Një banesë private e vjetër është përfshirë nga flakët mesditën e sotme (6 mars) në qytetin e Vlorës, ku për pasojë ka ndërruar jetë një person i cili ka qenë brenda.

Punonjësit e shërbimit zjarrfikës kanë mbërritur në vendin e ngjarjes dhe fillimisht kanë izoluar flakët dhe më pas janë futur brenda në banesë, ku kanë gjetur edhe viktimën, i cili sipas punonjësit të zjarrfikëses dyshohet se është gjendur mes vatrës së zjarrit dhe nuk ka pasur mundësi të largohet.

“Shërbimi zjarrfikës mori njoftim për një zjarr në këtë banesë, e cila është shumë e vjetër. Menjëherë u vumë në dispozicion të ngjarjes me të gjitha forcat dhe mjetet. Kur erdhëm në vendin e ngjarjes konstatuam se zjarri kishte marrë përmasa të mëdha, pasi flakët kishin dalë mbi çati.

Me veprimet tona të shpejta bëmë të mundur fillimisht izolimin e flakëve dhe pastaj u futëm brenda sepse na thanë që ndodhej një person brenda banesës. U futëm brenda dhe konstatuam se një person kishte humbur jetën pasi ishte ndodhur në mes të vatrës së zjarrit. Ndoshta ka qenë moshë e madhe dhe nuk ka pasur mundësi të dilte nga banesa. Besoj se shkak do të ketë qenë përdorimi i ndonjë ngrohëseje” tha ai.


Shtuar 6.03.2024 12:03