Zgjedhjet për pushtetin në kryeqytetin e Serbisë, do të ripërsëriten gjatë këtij viti, thanë të dielën autoritetet serbe. Njoftimi pasoi disa muaj tensione politike në rritje rreth pretendimeve se partia në pushtet e presidentit Aleksandër Vuçiç, mashtroi në zgjedhjet për kuvendin e qytetit të Beogradit.
Ky vendim është komentuar nga lideri i opozitës, Sali Berisha. Gjatë komunikimit të tij me demokratët nga rruga “Mustafa Matohiti”, Berisha tha se jetojmë në një emergjencë kombëtare ku regjimi kriminal, sipas tij, bëhet çdo orë dhe çdo ditë më i pamërishë ndaj shqiptarëve.
Berisha: Ne jetojmë në një emergjencë, në një gjendje në të cilën të këqijat që gllabërojnë qenien tonë, pasuritë tona, rriten nga ora në orë, sepse regjimi i Edi Ramës, regjimi kriminal bëhet çdo orë dhe çdo ditë më i pamërishë ndaj shqiptarëve. Vendi, çdo orë dhe çdo ditë varfërohet nga vjedhjet e qeveritarëve. Ndaj dhe çdo orë dhe çdo ditë aksioni ynë pa kthim, beteja jonë pa kthim, mosbindja civile bëhen më emergjente më jetike, për fatin e Shqipërisë.
Ju lutem, mendoni për një moment, çfarë ndodhi me zgjedhjet në Shqipëri. A nuk ishin ato zgjedhjet më të pabarabarta ndonjëherë në histori. A nuk u zhvilluan ato zgjedhje në kushtet kur njëra palë me 61 kandidatë mori disa milionë euro financime shtetërore. Kurse pala tjetër, kundërshtare dhe armike nuk mori asnjë qindarkë.
Kryetarit të saj nuk ju regjistrua emri. Ju ndryshua qendra e votimit 1.3 mln votuese, megjithatë vazhdojnë kryetarët e zgjedhur mbi krimin të qeverisin Shqipërinë në të katër anët.
Dy muaj më parë, zgjedhje u zhvilluan në Beograd, Serbi. E vërteta Vuçiçi dhe Rama nuk pranojnë kurrë votën e lirë.
Por megjithatë dua të ju them këtu se në rezultatin e përgjithshëm diferenca mes opozitës dhe qeverisë serbe ishte 71%, 19 për qind kishte opozita serbe. Në Shqipëri 40 për qind mori opozita pa financime, pa komisionerë, pa logo.
Në Beograd anulohen zgjedhjet, kurse në Shkodër, në Durrës, Elbasan, Tiranë, vazhdojnë qeverisin bashkiakët që fituan mbi krimin. Kjo është padrejtësi.
Absolutisht e kam deklaruar dhe e deklaroj 100 herë se Aleksandër Vuçiç meriton të shkojë në Hagë si doktrinar gjenocidi, se ai përfaqëson një Putin të vogël, por vota e serbëve nuk është më e rëndësishme se vota e shqiptarëve.
Pse e solla këtë shembull. E solla sepse po nuk u ngritëm vetë, po nuk morëm fatin tonë në duart tona, nuk kemi pse të presim nga askush, përveç se vetja jonë.