Zbardhen zyrtarisht shkaqet e zjarrit në urgjencën e QSUT, e cila u përfshi nga flakët në orët e para të mëngjesit të 11 shkurtit.
Mësohet se sipas akt-ekspertizës, ngjarja ka qenë aksidentale, si pasojë e një keq funksionimi të baterive.
“Ngjarja në fjalë është aksidentale, dhe zjarri në katin e dytë në dhomën teknike të godinës ka rënë si pasojë e një keq funksionimi të pajisjeve bateri (U.P.S-ve) nga ku rezulton se është edhe vatra e zjarrit”, thuhet në dokument.
QSUT njoftoi më herët se për shkak të zjarrit, shërbimi i urgjencës polivalente pranë Qendrës Spitalore Universitare
“Nënë Tereza” vazhdon të ofrohet sipas një grafiku të mirëpërcaktuar në Spitalin Universitar të Traumës si dhe në Qendrën Spitalore Rajonale e Tiranës “Shefqet Ndroqi”.
Ndërkaq, qytetarët e Gjirokastrës, Vlorës , Fierit e Beratit vijojnë të marrin urgjencën kardiologjike, atë të sëmundjeve të brëndshme e atë ortopedike në Spitalin Memorial, ndërsa urgjencat kardiologjike për qarkun Shkodër dhe Lezhë trajtohen në Spitalin Rajonal Shkodër.
Zjarri ra në 11 shkurt në godinën e sapondërtuar të Urgjencës së QSUT-së.