Mbështetësit e Taravarit e autorizojnë atë për negociata me opozitën

Në një takim të grupit të Arben Taravarit në Kumanovë, 75 prej 141 anëtarëve të Kuvendit të ASh-së dhe 17 prej 30 anëtarëve të kryesisë së saj, i kanë dhënë mandat për të negociuar koalicion parazgjedhor me opozitën shqiptare.

Këtë e ka konfirmuar Kryetari i Aleancës për Shqiptarët përmes një postimi në platformën X.

“Dje, 75 prej 141 anëtarëve të Kuvendit të Aleancës për Shqiptarët dhe 17 prej 30 anëtarëve të Kryesisë së saj, më dhanë një mandat të qartë për të negociuar një koalicion parazgjedhor me opozitën shqiptare. Besimi i tyre është nder dhe përgjegjësi e madhe. Aleanca për Shqiptarët është më e fortë dhe unike se kurrë më parë”.

“Vërej me shqetësim përpjekjet për të thyer besimin e krijuar me ish-kryeministrin Kovaçevski, kur Aleanca për Shqiptarët bëri një sakrificë duke iu bashkuar qeverisë për t’i dhënë një shans rrugës së anëtarësimit të vendit në BE. U bëj thirrje të gjitha palëve të sillen me përgjegjësi dhe të respektojnë ligjshmërinë e vendimeve të marra nga organet legjitime të Aleancës për Shqiptarët”, ka shkruar Arben Taravari.

Ndërkohë, koordinatori i grupit parlamentare të Aleancës për Shqiptarët në Kuvend, Adnan Neziri ka komentuar takimin e djeshëm të grupit të Arben Taravarit në Kumanovë.

“Sipas statutit të partisë dhe sipas informacioneve tona atje, kanë qenë më pak se 40 anëtarë. Ajo që thonë ata, nuk janë numra real dhe aj takim nuk ishte Kuvend i partisë sepse në pajtim me statutin Kuvendin mund ta thirr vetëm kryetari. Kuvend legjitim i ASH-së, ai i së shtunës që është thirr në ora 13:00”, ka deklaruar Neziri.


Shtuar 9.02.2024 12:16