Traktorët portugezë bllokojnë trafikun, sindikatat spanjolle takohen me ministrin, në vijim të grevës së fermerëve (FOTOT)

Vala e protestave të fermerëve evropianë është zgjeruar sot në jug teksa qindra traktorë në Portugali bllokuan rrugët kryesore dhe fermerët spanjollë refuzuan të ndalojnë grevat e planifikuara, para takimit me qeverinë.

Megjithëse qeveria portugeze njoftoi një paketë ndihmash kësaj jave, fermerët vijuan protestat në qytete të mëdha si Coimbra e Lisboa, duke reduktuar trafikun me traktorët e tyre të ngadaltë.

Situata solli një takim emergjence me ministren e bujqësisë Maria do Ceu Antunes.

Jose Estevao përfaqësues i lëvizjes, tha për mediat se disa pika ishin diskutuar si kufizimet e përdorimit të ujit, masat mjedisore dhe kostot e prodhimit. Ai shtoi se përkushtimi i zyrtarëve nuk ishte i mjaftueshëm për të ndaluar protestat.

Ndërkohë përfaqësues të grevës në Spanjë u takuan sot me ministrin e bujqësisë Luis Planas, pasi kishin bërë thirrje për mobilizim kombëtar prej javës që vjen.

Ministri spanjoll fajësonte për problemet rregullat e BE, duke thënë se erdhën vonë për çështjet rurale, shkruan rrjeti AnadoluAgency.

Ai shtonte se Spanja ka dhënë për fermerët shuma më të mëdha se vendet e tjera evropiane.

“Rregullat asfiksuese të BE janë ankesa më e madhe që mund të dëgjohet, si në Spanjë e në Evropë, ata i kanë caktuar ato pa e pasur idenë e realitetit të bujqësisë”, tha perfaqësuesi i sindikatës spanjolle.

Në rajonet e Castilla e Leon, kanë nisur protesta spontane me traktorë që i drejtohen qendrës së rajonit Leon.

Zhvillimet vijnë pas demonstratave të ashpra dje në Bruksel para selisë së BE, ashtu si dhe në Francë, ku shumë autostrada mbeten të bllokuara në refuzim të rregullave të padrejta të konkurencës me produktet bujqësore të importit.


Shtuar 2.02.2024 18:19