Gjyqtari i Gjykatës së Lartë rrëfen vrasjen e vëllait Ilir Ngresi nga Kastriot Jaupaj: Duhet të kishim ngritur padi ndaj autorit, por…

I pyetur nëse do ishte më mirë nëse do të ngrinte ndaj autorit të vrasjes së vëllait, Kastriot Jaupaj, Ngresi thotë “Kjo ishte një situatë që padyshim që do të kishim bërë mirë unë dhe sidomos fëmijët e vëllait tim të ndjerë, ti ishim drejtuar gjykatës edhe me një padi të tillë”.

Gjatë intervistës së dhënë për paditë e dëmshpërblimeve në episodin “Në kërkim të drejtësisë” të podcastit të Anila Hoxhës, Ngresi shpjegoi të gjitha kategoritë e dëmeve që merr në konsideratë gjykata.

Anila Hoxha: Do doja ta nisja në fakt me një pyetje. A janë shqiptarët të sensibilizuar për të kuptuar të drejtat e tyre, për të ngritur një padi kur bëhet fjalë për shkaktimin e një dëmi nga institucionet apo edhe nga subjekte private?

Sokol Ngresi : Fatkeqësisht, qytetarët nuk e kanë njohurinë e posacme dhe të duhur në lidhje me mbrojtjen që iu jep legjislacioni shqiptar ku ndodhin situata të tilla që pas-sjellin cënim të të drejtave të tyre ekonomike, social-kulturore, personale, por ndoshta edhe për këtë shkak problematikat që hasen në praktikën gjyqësore lidhen pikërisht me këtë mosnjohje të mirë të legjislacionit, kushtet që iu jep ligji për të përfituar shpërblim dëmi, në rastet kur atyre iu cënohen këto të drejta dhe kryesisht mënyrës si ata qasen pranë gjykatës për mënyrën e mbrojtjes së këtyre të drejtave edhe kur ata i bëjnë objekt shqyrtimi nëpër gjykata.

Anila Hoxha: Cilat mund të jenë në mënyrë të përmbledhur, ato raste kur një qytetar ka të drejtë ti drejtohet gjykatës sepse i është shkaktuar një dëm dhe për rrjedhim kërkon shpërblim dëmi apo dëmshpërblim?

Sokol Ngresi: Në Republikën e Shqipërisë funksionojnë dy gjykata në nivelin e shkallës së parë, që kanë në juridiksion për cështjet administrative, njëra është gjykata administrative e shkallës së parë me seli në Lushnjë dhe tjetra është gjykata administrative e shkallës së parë me seli në Tiranë, të cilat shqyrtojnë të gjitha paditë duke përfshirë edhe këtë kategori cështjesh si gjykatë e shkallës së parë. Palët në proces kanë të drejtë të ushtrojnë ankim dhe gjykata e shkallës së dytë është gjykata administrative e apelit e cila funksionon me seli në Tiranë dhe mandej është e drejta për të paraqitur rekurs në Gjykatën e Lartë. Nga praktika gjyqësore, më shpesh padi të tilla i referohen rasteve të veprimit të institucioneve të cilët kanë në kompetencë të tyre, mbikqyrje e zbatimit të legjislacionit ,kryesisht Inspektorati i Kontrollit dhe Mbrojtjes së Territorit ,në veprimtarinë e tij ku konstaton problematika në legjislacionin urbanistik apo rastet e shpronësimeve të cilat një nga rastet më klasike të shpronësimit dhe sidomos rastet e shpronësimit faktik apo rastet e zhvlerësimit të pronës në kuadër të shpronësimit publik dhe jo rrallë has edhe padi që lidhen me përgjegjësinë e institucioneve shëndetësore gjatë ushtrimit të detyrës së tyre. Në parantezë për njohuri të qytetarëve, legjislacioni shqiptar parashikon të drejtën për të kërkuar dëmshpërblim , një situatë tjetër është që ndofta është edhe për interes për qytetarët, të dinë që edhe me ndryshimet që janë bërë legjislacionit shqiptar në vitin 2008 është parashikuar si mbrojtje e të drejtave të tyre dhe cënimi që rrjedh nga aktet korruptive të punonjësve shtetërore.

Anila Hoxha: Pra, ne kemi rastin e një zyrtari që në momentin që shpallet fajtor me vendim të formës së prerë, i cfarëdo lloj rangu qoftë ai, i nivelit zbatues apo i niveleve të larta drejtuese, duhet të paditet nga institucioni shtetëror kur i është shkaktuar dëmi për padi shkaktim dëmi, apo i kryhet sekuestrimi dhe hetim pasuror?

Sokol Ngresi : Në cdo rast kur qytetari cmon se interesat e tij janë dëmtuar nga akte korruptive të nëpunësve shtetërore publikë , përgjegjësia civile i takon organit ku nëpunësi ushtron funksionin e vet dhe në raste të tilla organi i administratës publike në përfundim të procesit nëse gjendet fajtor nga pikëpamja civile për të shpërblyer dëmin e shkaktuar, ka të drejtë ti drejtojë me padi regresi nëpunësit. Por qytetari mbrohet ose si të thuash rikuperohet dëmi i shkaktuar nga organi publik. Po marrim një situatë, përshembull kur një inspektor i Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit, si rrjedhojë i një akti korruptiv , kërkesës për ryshfet, për përftime të padrejta dhe mosreflektimi nga ana e qytetarit ndërmerr një akt administrativ, duke passjellë prishjen e një objekti, i cili mund të jetë ndërtuar në respektim të legjislacionit . Në rast se qytetari mendon se ky akt administrativ i paligjshëm ka ardhur si rrjedhojë e veprimit/ aktit korruptiv të nëpunësit publik, atëherë do padisë institucionin shtetëror . Ky i fundit mban përgjegjësi për dëmin që i ka shkaktuar punonjësi i vet dhe mbas përfundimit të procesit civil, organi publik i drejtohet me padi regresi punonjësit që i ka shkaktuar dëmin.

Anila Hoxha : Kur ka hyrë në paketën ligjore shqiptare kjo risi ?

Sokol Ngresi : Ky është ligj i vitit 1999 dhe është amenduar me ligjin 1005 , datë 28.10.2008 ku është futur pikërisht edhe ky si rast që parashikon , të drejtën e qytetarëve për tu mbrojtur nga veprimtaria korruptive e nëpunësve publikë.

Anila Hoxha: Nga viti 2008 , në gjithë eksperiencën që ku keni, keni konstatuar të ketë patur kazuse apo precedent të tillë?

Sokol Ngresi : Fatkeqësisht jo. Ndaj edhe unë i mëshova kësaj lloj pjese, si një lloj mangësie në formimin e qytetarëve dhe për ta ditur për njohuri të tyre që legjislacioni iu jep mbrojtje edhe situatave të tilla .

Anila Hoxha: Të dhënat e vendosura në dispozicion Qendrës FOL , mbi cështjet që vijojnë të jenë nën gjykim janë nën total 1620 padi për të cilat kërkohet shpërblim dëmi nga qytetarë të ndryshëm, prej të cilave në gjykatën administrative të apelit numërohen cështje në proces 1201, në gjykatën administrative shkalla e parë 307 cështje në proces dhe në gjykatën administrative shkalla e parë Lushnjë 112 cështje në proces. Është mjaft interesante, se institucionet më të paditura nuk janë vetëm IKMT, Ministria e Shëndetësisë, por gjithashtu edhe bashkitë e juridiksionit që mbulon gjykata , policia e shtetit, disa ministri ku bie në sy ministria e shëndetësisë,IKMT, AKU, Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit të Transportit Rrugor dhe disa spitale. Duket se nga kjo harta e institucioneve të paditura, qytetarët po e kuptojnë jo vetëm se cfarë dëmi mund të jetë shkaktuar nga institucionet shtetërore por e kuptojnë gjithashtu se cfarë garancish iu jep ligji në Shqipëri. Cfarë nuk dinë akoma shqiptarët kur iu shkaktohet një dëm nga mosfunksionimi sic duhet i institucioneve?

Sokol Ngresi : Ju më ngacmuat pak me pyetjen tuaj dhe unë do të sillja si shembull një rast që kemi shqyrtuar, së fundmi në lidhje me një dëm të shkaktuar me pasojë humbjen e jetës nga veprimtaria e forcave të policisë gjatë ushtrimit të detyrës. Kishte një mekanizëm të ndërlikuar në mënyrën si kishin rrjedhur ngjarjet dhe nevoja që organi i prokurorisë kishte për të hetuar dhe për sqaruar pas mekanizmit të saj fajtorin , shkaktarin e pasojës së vdekjes së një qytetari kishte pas-sjellë humbjen e afatit të parashkrimit të trashëgimtarëve të të ndjerit për të kërkuar dëmin pasuror. Në këtë rast , ligji ka parashikuar që afati i parashkrimit si rregull fillon nga momenti kur ka ndodhur dëmi apo kur qytetari ka dijeni për dëmin dhe personin që e ka shkaktuar. Situata bëhet pak e ndërlikuar në këto raste të tilla pasi jo rrallë qytetarët janë të paqartë se përgjegjësia i takon organit publik apo është përgjegjësi e përzier apo edhe të dëmtuarit vetë. Kjo është një situatë që kërkon një zgjidhje, rast pas rasti pasi nuk mund të vendoset asnjë rregull i paracaktuar por edhe kjo situatë është duke u trajtuar në praktikën tonë zhvilluese të Gjykatës së Lartë.

Anila Hoxha: Më duket se jeni duke folur për padinë për të cilën Gjykata e Lartë , në fakt i dha zgjidhje një procesi shumë të gjatë në kohë mbi padinë e një vendimi, të korrikut 2023, për Frederik Skandaj dhe Taze Skandaj dhe vrasjen e Armando Skandaj.

Sokol Ngresi: Edhe asaj, i jam referuar. Doja të bëja një sqarim të shkurtër. Unë nuk dua të bëj komente rreth rastit konkret, por e solla në vija të përgjithshme si rast. Mund të jenë edhe raste e aksidenteve automobilistike ku përgjegjësia për shkaktarin e dëmit dhe fajësia kërkon angazhimin e organit të prokurorisë për të sqaruar mekanizmin e ngjarjes , pasojës, autorin e veprës dhe rasti që cituat ju, është nga rastet që ne kemi shqyrtuar , por pa u ndalur në rastin konkret por doja pikërisht të sqaroja këtë për opinion publik . Ndërthyrja që ka në situata të caktuara me nevojën për të patur hetime nga organi i prokurorisë dhe pas kësaj formësohet padi për shpërblimin e dëmit. Kjo është një situatë që kërkon trajtim rast pas rasti duke parë specifikat e ngjarjes, mënyrën si kanë rrjedhur ngjarja, aktorët e përfshirë në të dhe për të nxjerrë një konkluzion se kush është shkaktari determinant i ardhjes së pasojës.

Anila Hoxha: Z. Ngresi pse është kaq e vështirë që institucionet ti binden gjykatave për dëmshpërblimet atëherë kur gjykata urdhëron për dëmin që duhet të paguajë shteti ?

Sokol Ngresi : Ky është një problem që e ka trajtuar në vazhdimësi prej vitesh edhe Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut , mosekzekutimi në kohë i vendimeve gjyqësore të formës së prerë . Është gjetur si një nga elementët e fajshëm të shtetit shqiptar dhe që lidhet drejtëpërdrejt me parimin e një procesi të rregullt, i cili nuk përfshin vetëm procesin gjyqësor por edhe fazën përfundimtare të ekzekutimit. Kam përshtypjen se burokracitë në fazën e ekzekutimit, nga ana tjetër, problematikat në lidhje me buxhetet që kanë institucionet , organet publike . Janë shumë faktorë por unë nuk mund të evidentoj konkretisht, pasi nuk jam përballur me këtë pjesë. Duhet të theksoja për qytetarin se me ndryshimet që janë bërë në Kodin e Procedurës Civile në vitin 2017 , ata gëzojnë të drejtën për të kërkuar në gjykatë fillimisht konstatimin e shkeljes së afateve të arsyeshme duke përfshirë edhe fazën e ekzekutimeve dhe mandej pas kësaj kërkojnë edhe dëmin të shkaktuar pikërisht nga shkelja e këtyre afateve.

Anila Hoxha: Ne e dimë që gjyqësori, Këshilli i Lartë Gjyqësor ka shpallur krizën , e ka pranuar publikisht për të paktën 3 gjykata.

Sokol Ngresi : Fillimisht qytetari duhet të kërkojë pranë gjykatës konstatimin që është shkelur ky afat dhe pasi vendimi gjyqësor ta konfirmoj një fakt të tillë mund të kërkojë edhe dëmin e shkaktuar nga këto vonesa. Kjo është një praktikë tashmë e konsoliduar nga Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut por ndërkohë edhe në gjyqësorin shqiptar që prej vitit 2017 që është amenduar kodi i procedurës me këto dispozita, qytetarët shpesh i drejtohen gjykatave pikërisht me kërkesa të tilla.

Anila Hoxha: Për cfarë ngrenë më së shumti padi shpërblim dëmi apo dëmshpërblimi, qytetarët shqiptarë?

Sokol Ngresi : Natyra e shpërblimit të dëmit është shumë e larmishme duke filluar që nga marrëdhëniet e punës punëmarrës, të cilët në mënyrë të pajustifikuar iu zgjidhet kontrata nga punëdhënësi, qoftë këta nga entet publike apo private ,veprimtaria e institucioneve që edhe ju e cituat në evidencën që përmende pak më lart mbi objektet e padive , kryesisht në aksidentet automobilistike , në rastet e veprimtarisë së punonjësve të OSHEE.

Anila Hoxha: Më tej për veprimet arbitrare të policisë, të institucioneve , arrestim i padrejtë, burgosje e padrejtë .

Sokol Ngresi: Burgosje e padrejtë është një nga rastet ku materializohet përgjegjësia e organeve publike në veprimtarinë e tyre . Është edhe kjo një praktikë prej disa dekadash në Shqipëri që është e konsoliduar . Më kujtuat me këtë rast, një situatë nga praktika, që një qytetar pasi ndaj tij kishte filluar procedim penal për kontrabandë dhe pasi kishte përfituar shpërblimin për burgim të padrejtë në cilësinë e ortakut të vetëm të shoqërisë tregtare që ai përfaqësonte dhe që kishte në pronësi tashmë vinte me një padi të dytë për të kërkuar dëmin e shkaktuar shoqërisë nga mungesa e aktivitetit pikërisht për shkak se ai vetë e kishte të pamundur fizikisht dhe objektivisht të drejtonte shoqërinë, pasi ishte një cilësinë edhe të ortakut dhe të administatorit të shoqërisë.

Sokol Ngresi : Nuk jam i informuar për vazhdimin e procesit por që e solla për të kuptuar sa e larmishme është dhe sa praktika të ndryshme ka.

Anila Hoxha: Nëse kalon në një rrugë të pa pastruar nga dëbora , që një shoqëri e ka për detyrim , që ta pastrojë edhe ndërkohë pëson një aksident. A mund të ngrihet një padi shkaktim dëmi?Deri ku, mund të shkohet ?

Sokol Ngresi: 4 janë kriteret që gjykata mban parasysh . Së pari, të kemi një dëm . Së dyti, të kemi një veprim apo mosveprim të paligjshëm nga ana e entit publik . Të kemi një lidhje shkasore midis këtyre dy momenteve dhe kriteri i fundit por që është shumë i rëndësishëm ekzistenca e fajit . Pra të provohet që enti publik ka vepruar me faj. Ky është rregulli. Dmth është mosrespektimi i dispozitave ligjore dhe që detyrojnë atë të marrë masa e duhura për të siguruar ambientin , për të përmbushur detyrën . Më kujtuat me këtë rast, një ngjarje që ndërroi jetë një nënë bashkë me fëmijët dhe nga ngjarja dhe hetimi rezultoi se shkaktar ishte pikërisht mosrespektimi I kushteve të aksit rrugor ku kishte ndodhur aksidenti nga Autoriteti Rrugor Shqiptar . Pra, mjafton qytetari që ka pësuar dëm ti drejtohet gjykatës dhe ti parashtrojë këto elemente. Biles legjislacioni shqiptar i jep një favor qytetarit në këtë rast pasi barrën e provës në situatë të tillë ia ngarkon të paditurit, pra nuk ka qytetari detyrimin të provojë fajësinë e entit publik, por është enti publik që të provojë pafajësinë e tij, pra që ngjarja ka ndodhur pa fajin e punonjësve të ushtrimit të detyrës. Më kujtuat një situatë që kemi gjykuar si kolegj në Gjykatën e Apelit Vlorë .Ngjarja ka ndodhur diku nga viti 1998 -1999, kishte lidhje me një veprim, një aksion policor , ngjarja e ndodhur në Berat ku një person pasi kryen disa vepra penale të rënda “vrasje”, i ndjekur nga policia strehohet në një banesë dhe rrethohet nga forcat “Renea” . Në përpjekje për tu dorëzuar hap zjarr ndaj policisë dhe për tu mbrojtur veten vendos para trupit si mburojë një fëmijë të mitur, diku mos gaboj rreth 6 muajsh. Dështuan të gjitha negociatat për tu dorëzuar dhe konflikti ishte aq i ashpër sa u desh ndërhyrja me armë për ta eleminuar dhe në momentin që forcat speciale goditën drejt autorit me snajper , gabimisht plumbi goditi edhe këmbën e fëmijës 6 muajsh dhe pas shumë vitesh, ndodhesha para kërkesës së fëmijës për shpërblimin e dëmit të shkaktuar, pavarësisht se veprimtaria e punonjësit të policisë ishte e ligjshme . E lidh me rastin se edhe kur ka veprimtari të ligjshme, por cënohet e drejta e qytetarit, ata gëzojnë mbrojtjen dhe rasti ishte i tillë që fëmija kishte nevojë për shkak të zhvillimit të tij , kishte nevojë për protezë dhe asistencë mjekësore të vazhdueshme . Pra, nuk lidhej dëmi me situatën faktike kur kishte ndodhur, por me një situatë që dëmi vazhdonte të sillte pasoja në vazhdimësi. Më kujtohet atëherë në seancë gjyqësore që prindërit e tij na i ngritën si shqetësim që duhej që për shkak të protezës dhe moshës në zhvillim të fëmijës i duheshin porositur proteza nga jashtë shtetit.Kishte një kosto shumë të konsiderueshme financiare dhe kjo e detyronte që herë pas herë ti drejtoheshin gjykatës për të provuar këto kosto,

Anila Hoxha: Prindërit sollën vetëm raportet mjekësore apo ishte edhe fëmija që gjykata ta besonte?

Sokol Ngresi:Të gjitha. Edhe shpenzimet. Në procesin gjyqësor nuk është e nevojshme të vijë vetë pala, pasi mund të përfaqësohet qoftë nga kujdestari , në rastin konkret të prindërve por edhe nga avokatë. Nuk e kujtoj të ketë qenë vetë fëmija por e kujtoj si rast, si kazus, kishte një situatë që vërtet edhe vetë emocionalisht na krijoi një lloj ndjesie, goxha të prekshme.

Anila Hoxha: Cila është pjesa më e vështirë për ju si gjyqtarë në atë moment ?

Sokol Ngresi: Të përjetosh traumën qoftë si gjyqtarë, por edhe si qytetar që ka përjetuar ai fëmijë dhe familjarët e tij në situatën që kishte ndodhur, që vazhdonin pasojat e situatës të agravonin vit pas viti për shkak të kësaj specifike që kishte.

Anila Hoxha: Si i ruan gjyqtari balancën në këtë moment , z.Ngresi? Nga njëra anë dëgjon familjarë apo qytetarë që i është shkaktuar një dëm në shëndet , nuk është mjekuar sic duhet. Është mbajtur i burgosur në mënyrë të padrejtë pasi është shpallur i pafajshëm , i është shembur banesa dhe ai kërkon të dëmshpërblehet. Nga ana tjetër është pala e paditur që kundërshton dhe kryen prapësimet e duhura duke thënë që “jo nuk është shkaktuar asnjë dëm . Ne kemi zbatuar ligjin” dhe justifikime të ndryshme.

Sokol Ngresi: Aftësia e gjyqtarit është që të orientojë palët drejt procesit të rregulltë , drejt përcaktimit të rrethanave dhe objektit të të provuarit në këtë proces.

Anila Hoxha: Kush është ai rast në këtë fushë , që iu ka shënjuar, që iu ka mbetur dhe nuk do tju hiqet asnjëherë nga kujtesa?

Sokol Ngresi: Janë shumë, por për momentin , nuk është se mund të vecoj dicka. Jo, unë do sillja një eksperiencë ose një situatë personale që lidhet me këtë tematikë që po diskutojmë. Rastet e krimeve të rënda sic janë vrasjet. Shumë rrallë ndodh që viktimat e veprës penale dhe flas trashëgimtarë, familjarë, të afërm të kenë guximin të kërkojnë dëmshpërblimin nga autorët e veprave penale. Unë jam një nga ata persona që e kam një pasojë të tillë në familje dhe jo se nuk kam pasur guxim të kërkoj dëmshpërblim nga autori i veprës penale që më shkaktoi atë pasojë mua dhe familjarëve të mi.Kanë qenë rrethana të tjera , në rastin konkret por që duhet të jetë edhe kjo një pjesë e ndërgjegjësimit të qytetarëve.

Anila Hoxha: Gjyqtari Sokol Ngresi është duke folur për Ilir Ngresin , efektivin e policisë, zyrtarin e policisë, i cili u vra për shkak të uniformës, për shkak të detyrës. Është në tabelën e nderit të dëshmorëve, të policëve dhe të oficerëve të policisë që dhanë jetën për vendin dhe që u vranë nga një dorë e zezë e krimit. Tani, që e rrëfen historinë e humbjes së vëllait Ilirit, mendon që duhet të kishe bërë mirë dhe të kishe ngritur padi ndaj Kastriot Jaupit ? Përvec asaj që tha drejtësia në Shqipëri ?

Sokol Ngresi: Kjo ishte një situatë që padyshim që do të kishim bërë mirë unë dhe sidomos fëmijët e vëllait tim të ndjerë, ti ishim drejtuar gjykatës edhe me një padi të tillë.

Anila Hoxha : E ke ndjekur ndonjëherë procesin e Kastriot Jaupit?

Sokol Ngresi: Ky person është gjykuar në mungesë pasi kreu veprën penale u arratis , u gjykua në mungesë në shkallë të parë .Vendimi mori formë të prerë , u ekstradua pastaj nga autoritetet tona, pasi u kap në Spanjë, pas disa vitesh . Rifilloi procesi në shkallë të dytë , përfundimisht ka përfunduar si proces dhe është dënuar me burgim të përjetshëm. Gjithsesi kjo është pjesë e drejtësisë penale që ka bërë punën e vet . Ndoshta që edhe për shkak të pozicionit që unë kam pasur , gjithë kohës si gjyqtar nuk kam dashur ta ngarkoj këtë pjesë dhe me procese gjyqësore civile . Jemi mjaftuar me atë mirëkuptimin tonë familjar me procesin penal dhe me dënimin e merituar që ai ka marrë.

Anila Hoxha: Kishte mundësi që ju të ngrinit padi? Ishte në atë kohë ligji në fuqi?

Sokol Ngresi: Patjetër. Ngjarja ka ndodhur në 30 dhjetor të vitit 2000, një natë përpara Vitit të Ri dhe legjislacioni ka qenë në fuqi që në vitin 1999. Por edhe pa qenë ky legjislacion , kuadri ligjor ka qenë i mjaftueshëm pasi edhe dispozitat e Kodit Civil që kanë hyrë në fuqi në 1 nëntor 1994, e njohin këtë të drejtë qytetarit. Gjithkush që ka shkaktuar një dëm të padrejtë, të paligjshëm dhe me faj të tretit është i detyruar ta dëmshpërblejë .

Anila Hoxha: Keni ju një rast kur padia iu është dukur mjaft paradoksale ?

Sokol Ngresi : Ka qenë një rast i shqyrtuar nga unë si gjyqtar, nga kolegët e mi. Ishte një ngjarje që lidhet me pasojë vdekjen , një qytetar i ndjerë endacak. Ishte strehuar në një nga këto kabinat elektrike në administrim të Operatorit të Energjisë Elektrike dhe për shkak të pakujdesisë kishte rënë në kontakt me energjinë dhe kishte humbur jetën dhe padinë për shpërblimin e dëmit e kishin ngritur dy motrat e tij të cilat pretendonin dëm pasuror dhe jo pasuror . Po e sqaroj pak për publikun, dëm pasuror dhe jo pasuror lidhet me tre figurat: dëm psikologjik,moral dhe ekzistencial. Këto dy të fundit , dëmi moral ka të bëj me tronditjen shëndetësore psikologjike që pëson i dëmtuari nga ngjarja , ndërsa dëmi ekzistencial lidhet me prishjen e cilësisë së jetës në vazhdimësi. Dhe dy qytetarët, dy paditëset që ishin motra të viktimës pretendonin që përvec dëmit pasuror dhe këto dy figura dëmi,ndërkohë që nga rrethanat e cështjes rezulton që i ndjeri ishte endacak dhe nuk kishte patur gjatë gjithë jetës së tij asnjë kujdes qoftë edhe minimal nga dy motrat. Dhe këto vinin me kërkesë pikërisht duke pretenduar se ishin dëmtuar nga kjo ngjarje e rëndë , vdekja e vëllait të tyre. Ndërkohë që nuk i kishin ofruar asnjë lloj kujdesi gjatë gjithë jetës së tij. Sic e thashë edhe në fillim të fjalës , duhet të provosh që ti je dëmtuar realisht nga kjo ngjarje.

Anila Hoxha: Nga ajo që ju keni vërejtur dhe që iu ka rënë në sy në Gjykatën e Lartë , tanimë nga cilat qytete vijnë ata paditës të cilët ngrenë më së shumti pretendime për shpërblim dëmi?

Sokol Ngresi: Në kolegjin administrativ kryesisht janë nga qytete të mëdha ku edhe aktiviteti publik është më i dendur dhe ky prania e shtetit është më e dukshme, në zona ku ka zhvillim urban. E thashë pak më parë, rastet e shpronësimeve në qytetet në zhvillim janë raste të tjera që pikërisht marrin volumin më të madh të cështjeve. Aktiviteti i Inspektoratit Kombëtar të Mjedisit , i Autoritetit Kombëtar të Ushqimit . Por kryesisht janë nga qytete të mëdha. Nuk mungojnë edhe rastet nga zonat rurale . Përshëmbull prapë ti referohem eksperiencës time, kam gjykuar cështje të tilla në Gjykatën e Apelit Vlorë që ishin pretendime për shkaktim dëmi edhe në zona , në fshatra të thella pikërisht nga mosfunksionimi i rregullt i linjave të furnizimit të energjisë elektrike, me pasojë dëmtimin e banesave, të bagëtive, të kullotave, apo qoftë edhe me humbje jetë njerëzish , pra është e larmishme. Po në përgjithësi qytetet që kanë dinamikë dhe një zhvillim urban intensiv.


Shtuar 28.01.2024 19:20