Bota kujton sot Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit

Bota kujton sot 27 janarit, Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit. Këtë vit ky përkujtim ndodh, ndërsa vijon lufta mes Izraelit dhe Hamasit në Lindjen e Mesme.

Kudo janë organizuar aktivitete, për të kujtuar çlirimin e kampit nazist të përqendrimit dhe të shfarosjes në Aushvic.

Në nëntor 2005 Asambleja e Përgjithshme e OKB-së (Rezoluta 60/7) shpalli 27 janarin, Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit.

Ajo deklaroi se “Holokausti, në të cilin u vranë një e treta e popullit hebre dhe anëtarë të panumërt të pakicave të tjera, do t`u shërbejë gjithmonë të gjithë njerëzve si paralajmërim nga rreziku i urrejtjes, intolerancës, racizmit dhe paragjykimit”.

Gjermania dhe vende të tjera e kishin përcaktuar atë më parë si ditë përkujtimore.

Në Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit, përmendet shpesh besa e shqiptarit, si një institucion i mbrojtjes dhe mikpritjes tradicionale, ndërsa nënvizohen përpjekjet e Shqipërisë në luftën kundër anti-semitizmit dhe edukimin e të rinjve, që të mos harrohen ngjarjet dhe mësimet e historisë.