Në Michigan të SHBA-së, një kishë e ndërtuar më 1898 po shndërrohet në banesë, pasi një dizajnere e brendshme 45-vjeçare vendosi t’i japë ndërtesës së vjetër një jetë të re dhe ta kthejë në shtëpinë që kishte ëndërruar.
Whitney Anderson e bleu pronën për 45 mijë dollarë, duke nisur një restaurim të gjerë që për të përmbush një dëshirë të hershme, të lindur që në fëmijëri.
Të lidhura
None found
Gjatë më shumë se 30 viteve që jetoi në Nju Jork dhe ndërtoi karrierën e saj, Anderson kërkonte një kishë që mund ta kthente në shtëpi. Ideja i kishte lindur kur, si fëmijë, shkonte me gjyshërit në kishë dhe mahnitej nga arkitektura, xhamat e pikturuar dhe atmosfera e veçantë e ndërtesave të tilla.
Për vite me radhë ajo kurseu për projektin, duke mbledhur afro 250 mijë dollarë. Në pranverën e vitit 2024, në Zillow pa një njoftim për shitjen e një prone të vjetër në Michigan, ku përfshiheshin një kishë e braktisur dhe një shtëpi famullitare.
Prona ishte nxjerrë fillimisht në shitje për 125 mijë dollarë. Pas negociatave, në qershor të vitit 2024, Anderson e bleu kishën për 45 mijë dollarë. Në marrëveshje hynë ndërtesa e kishës, me sipërfaqe rreth 325 metra katrorë, rezidenca e bashkangjitur dhe një truall prej 930 metrash katrorë.

Ndërtesa kërkonte ndërhyrje të konsiderueshme përpara se të mund të përdorej si banesë. Çatia ishte dëmtuar rëndë dhe kishte vrima të mëdha, ndërsa uji që kishte depërtuar kishte sjellë lagështi dhe myk në ambientet e brendshme. Gjatë inspektimit, gjendja e pronës e detyroi Andersonin të mbante maskë mbrojtëse.
Pas dy vitesh punime restaurimi, Anderson ka shpenzuar rreth 194 mijë dollarë. Ajo parashikon që fatura totale të mos i kalojë 400 mijë dollarët dhe po kryen vetë një pjesë të madhe të punës për të frenuar kostot.
Dizajnerja nuk e fsheh se projekti është një sipërmarrje me rrezik të lartë financiar dhe se ende nuk dihet nëse investimi do të rezultojë i leverdishëm.
Ajo e ka quajtur projektin “Chouse”, duke bashkuar fjalët angleze church, që do të thotë kishë, dhe house, që do të thotë shtëpi. Synimi është që ndërtesa të ruajë sa më shumë tiparet e saj origjinale.
Faza e parë e punimeve përfshin riparimin e çatisë, mbrojtjen nga uji dhe trajtimin e dëmeve të shkaktuara nga lagështia e myku. Njëkohësisht, Anderson po përpiqet të ruajë elementet historike që përcaktojnë karakterin e kishës.
Xhamat origjinalë të pikturuar, ndriçuesit e viteve 1940 dhe stolat prej druri janë pjesë e elementeve që ajo dëshiron t’i përfshijë në banesën e re. Një pjesë e tyre do të përdoren sërish për të ndërtuar mobilie dhe një bibliotekë të madhe.
Për Andersonin, puna nuk është vetëm rinovimi i një prone: është realizimi i një ëndrre të vjetër dhe përpjekja për të ringjallur një ndërtesë historike, duke ruajtur gjurmët e së kaluarës.
Edhe pse përfundimi i projektit është ende larg dhe shpenzimet mbartin rrezik, ajo synon të tregojë se një kishë e braktisur dhe e dëmtuar nga koha mund të kthehet në një shtëpi të veçantë, ku historia ndërthuret me dizajnin.







