Në fillim të kësaj jave, Nottingham Forest dhe Everton u akuzuan për shkeljen e rregullave të Fair Play Financiar (FFP). Kjo është hera e dytë që Toffees akuzohen, ku e para rezulton me një zbritje prej dhjetë pikësh.
Chelsea ka shpenzuar mbi 1 miliard euro për transferime në një vit e gjysmë nën pronësinë e Todd Boehly dhe Clearlake Capital. Tifozët janë të shqetësuar nëse blutë do të goditen me akuza dhe sanksione gjithashtu.
Sidoqoftë, sipas David Ornstein, nuk ka asgjë për t’u shqetësuar për momentin, megjithëse Chelsea do të duhet të ndryshojë qasjen e tyre në vazhdim.
Gazetari tha në The Athletic Football Podcast: “Shumë njerëz kanë thënë ‘çfarë po ndodh me Chelsean?’ Sepse shpenzimet e tyre kanë qenë të paprecedentë që kur hynë në fuqi pronësia e Todd Boehly dhe Clearlake Capital”.
“Ata do të duhet të jenë të kujdesshëm për të ecur përpara, sepse kostot do të vazhdojnë dhe do të jetë interesante të shihet se si ata i balancojnë librat pas amortizimit të tarifave të transferimeve nga Liga Premier, nga pa kufi, në një kufi prej pesë vitesh”.
“Ne të gjithë do të shikojmë nga afër për të parë nëse ata shesin dikë si Conor Gallagher në janar, sepse ata lojtarë vendas përfaqësojnë fitim të pastër. Pavarësisht nëse ju pëlqen apo jo, ata në fakt kanë bërë mjaft mirë financiarisht për të rënë brenda kufijve”, ka shtuar më tej ai.
Pra, në thelb kjo do të thotë që Chelsea nuk do të jetë më në gjendje të shpërndajë tarifat e transferimit në periudha shtatë ose tetëvjeçare siç bënë me lojtarë si Enzo Fernandez. Pavarësisht nga kohëzgjatja e kontratës, tarifa e transferimit të lojtarit mund të amortizohet maksimumi për pesë vjet. /Telegrafi/