Zbulohet një “shtëpi bari” në Vlorë, arrestohet 37-vjeçari, shpallet në kërkim pronari

Policia e Vlorës, ka zbuluar një banesë të përshtatur për kultivimin e bimëve narkotike, ndërsa ka vënë në pranga një 37-vjeçar dhe është shpallur në kërkim një tjetër.

I arrestuar është personi që kishte në përdorim këtë banesë, për të kultivuar bimët narkotike ndërsa në kërkim është shpallur pronari i saj.

Banesa u zbulua gjatë një operacioni në lagjen “1 Maji”.

Brenda shtëpisë u gjetën dhe sekuestruan 160 pajisje elektrike (stabilizator energjie), 236 llampa elektrike, 10 aspiratorë, 5 filtra ajri si ato që përdoren për kultivimin e bimëve narkotike në ambiente të mbyllura dhe 10 bidona plastik me substanca kimike për bimët.

Gjithashtu, u gjetën dhe sekuestruan një sasi kanabisi, të ndarë në 14 doza, municion luftarak dhe një kallëp lënde plasëse (tritol) me kapsollë detonatore të vendosur dhe fitil zjarrëpërcjellës të montuar.

Nën hetim është vënë edhe një 16-vjeçar, të cilit iu gjet një sasi kanabisi që ia kishte blerë 37 vjeçarit të arrestuar.

Njoftimi i Policisë:

“Vlorë/Vijojnë kontrollet në të gjithë qarkun, në kuadër të masave të përcaktuara në planin operacional mbarëkombëtar të koduar “Tempulli”, për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve.

Në zbatim të këtyre masave, finalizohet nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve dhe Forca e Posaçme “Shqiponja”, operacioni policor i koduar “Fokus 7”.

Zbulohet një banesë e përshtatur kultivimin e bimëve narkotike. Gjenden në ambientet e kësaj banese dhe sekuestrohen, 411 pajisje të ndryshme elektrike që përdoren për kultivimin e bimëve narkotike në ambjente të mbyllura dhe 10 bidona me substanca kimike për bimët.

Gjithashtu, sekuestrohen doza kanabisi, municion luftarak dhe një kallëp lënde plasëse (tritol) me kapsollë detonatore të vendosur dhe fitil zjarrpërcjellës të montuar.

Vihet në pranga 37-vjeçari që kishte në përdorim këtë banesë dhe e kishte përshtatur atë për kultivim të bimëve narkotike.

Vijon puna për kapjen e pronarit të banesës.

Procedohet në gjendje të lirë një shtetas tjetër, pasi iu gjet një sasi lënde e dyshuar narkotike, që dyshohet se ia kishte blerë 37-vjeçarit të arrestuar.

Si rezultat i kontrolleve të kryera në ambiente të ndryshme, në kuadër të planit operacional mbarëkomëtar të koduar “Tempulli”, për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve dhe pas informacioneve të siguruara nga inteligjenca informative, për një rast të veprimtarisë kriminale në këtë këtë fushë, është organizuar dhe finalizuar operacioni policor i koduar “Fokus 7”.

Gjatë këtij operacioni, shërbimet e Policisë kanë ushtruar kontroll në një banesë në lagjen “1 Maji”, e cila dyshohet se ishte përshtatur për kultivimin e bimëve narkotike, ku kanë gjetur dhe sekuestruar 160 pajisje elektrike (stabilizator energjie), 236 llampa elektrike, 10 aspiratorë, 5 filtra ajri si ato që përdoren për kultivimin e bimëve narkotike në ambjente të mbyllura dhe 10 bidona plastik me substanca kimike për bimët.

Gjithashtu, gjetën dhe sekuestruan një sasi lënde të dyshuar narkotike cannabis sativa, të ndarë në 14 doza, municion luftarak dhe një kallëp lënde plasëse (tritol) me kapsollë detonatore të vendosur dhe fitil zjarrëpërcjellës të montuar.

Në vijim të veprimeve procedurale për këtë rast, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve:

-kanë arrestuar shtetasin A. L., 37-vjeç, banues në Vlorë;
-kanë shpallur në kërkim shtetasin M. B., 37-vjeç, banues në Vlorë.

Gjithashtu, referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për një shtetas 16-vjeç, pas gjatë kontrollit fizik iu gjet një sasi e vogël lënde e dyshuar narkotike kanabis, që dyshohet se ia kishte blerë shtetasit A. L.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme”, njofton policia.


Shtuar 17.01.2024 12:03