“Lufta është kundër njerëzimit”, Papa Françesku mesazh për luftimet në Lindjen e Mesme

Papa Françesku deklaroi këtë të diel se të gjitha luftërat janë një krim kundër njerëzimit ndërsa ai përsëriti një thirrje për paqe në Lindjen e Mesme dhe Ukrainë. “Sot lufta është në vetvete një krim kundër njerëzimit”, deklaroi kreu i Vatikanit në meshën e të djelës. Në lutje, ai u bëri thirrje njerëzve që të mos harrojnë ata që vuajnë për shkak të “mizorisë së luftës” në disa pjesë të botës.

“Në fillim të vitit shkëmbyem urimet për paqe, por armët vazhduan të vrisnin dhe shkatërronin. Le të lutemi që ata që kanë pushtet mbi këto konflikte të reflektojnë në faktin se lufta nuk është mënyra për t’i zgjidhur ato, pasi ajo mbjell vdekje mes civilëve dhe shkatërron qytetet dhe infrastrukturën. Me fjalë të tjera, sot, vetë lufta është një krim kundër njerëzimit; le të mos e harrojmë këtë. Njerëzit kanë nevojë për paqe, bota ka nevojë për paqe” deklaroi Papa Francesku.

Kreu i Vatikanit ka bërë thirrje vazhdimisht për paqe në Ukrainë dhe në luftën në Gaza ndërsa kjo e djelë shënoi 100 ditë që kur persona të armatosur të Hamasit hynë në Izrael për të nisur sulmin më vdekjeprurës në historinë e Izraelit.


Shtuar 14.01.2024 15:08