Mashtruan shtetas grekë dhe i zbrazën llogaritë bankare, dy të arrestuar në Korçë

Dy persona, të cilët akuzohen se mashtronin shtetas grekë, duke iu marrë të dhënat e llogarive bankare dhe duke transferuar shuma parash nga llogaritë e tyre, në llogari të tjera të paidentifikuara, nëpërmjet agjentëve fiktivë janë arrestuar nga policia e Korçës.

Në subjektin tregtar të përshtatur për këtë veprimtarinë kriminale, ishin punësuar në mënyrë të paligjshme 7 shtetas.

Janë sekuestruar 23 njësi kompjuterike, 1 laptop, fatura fiktive, fatura transaksionesh bankare dhe  pajisje të tjera që i shërbenin kësaj veprimtarie.

Në pranga ranë shtetasit K. H., 31 vjeç, banues në Tiranë dhe K. F., 29 vjeç, banues në Korçë.

“Shërbimet e Policisë, gjatë kontrollit të ushtruar në lagjen nr. 2, te bulevardi “Republika”, në Korçë, në një subjekt tregtar në pronësi të shtetasit K. H., kanë gjetur të punësuar në mënyrë të jashtëligjshme 7 punonjës, të cilët ishin të padeklaruar në organet tatimore”, njofton policia.

Gjithashtu, nga këqyrja e pajisjeve kompjuterike të vendosura në këtë ambient, janë gjetur lista emërore me kontakte telefonike dhe foto të dokumenteve të identifikimit të shtetasve grekë, fatura transaksionesh bankare, fatura fiktive në kriptomonedha “Bitcoin”, adresa kriptovalutash etj. Nga verifikimet e kryera rezultoi se pajisjet kompjuterike përdoreshin nga këta shtetas, për të mashtruar shtetasit grekë, të cilëve iu merrnin të dhënat e tyre personale bankare, me të cilat ndërhynin në llogaritë e tyre, nëpërmjet agjentëve fiktivë, për të transferuar shuma parash në llogari të ndryshme të huaja, të paidentifikuara.

Vijon puna intensive hetimore për identifikimin dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të shtetasve të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale dhe sekuestrimin e aseteve të përfituara prej saj. /albeu.com


Shtuar 29.12.2023 10:57