Suedia pret që Turqia të ratifikojë brenda javësh pranimin në NATO

Turqia i ka thënë Suedisë se pret që të ratifikojë brenda javësh pranimin e Stokholmit në aleancën ushtarake perëndimore të NATO-s, tha ministri i Jashtëm suedez.

Suedia dhe Finlanda vitin e kaluar kërkuan t’i bashkohen NATO-s pasi Rusia nisi pushtimin e paprovokuar të Ukrainës. Por, presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, shteti i të cilit është anëtar i NATO-s, ngriti shqetësime, duke argumentuar se këto dy shtete mbrojnë grupe që Ankaraja i konsideron terroriste.

Në prill, Turqia mbështeti anëtarësimin e Finlandës në NATO, por jo edhe të Suedisë.

“Kam pasur një takim dypalësh me kolegun tim, ministrin e Jashtëm [të Turqisë]… dhe ai më tha se pret që ratifikimi të ndodhë brenda javësh”, tha për gazetarët ministri i Jashtëm i Suedisë, Tobias Billstrom, para nisjes së ditës së dytë të takimeve me ministrat e Jashtëm të aleancës.Turqia ende nuk ka reaguar për këtë deklaratë.

Turqia ka kërkuar nga Suedia që të ndërmarrë më shumë hapa ndaj anëtarëve lokalë të Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit, që konsiderohet grup terrorist nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara.

Në përgjigje, Stokholmi miratoi një ligj kundër terrorizmit, që bën të paligjshëm anëtarësimin në organizata terroriste. Po ashtu, Suedia ka hequr kufizimet në eksportin e armëve me Turqinë. Stokholmi ka argumentuar se ka plotësuar kërkesat e paraqitura në një marrëveshje që palët arritën vitin e kaluar.

Përveç Turqisë, edhe Hungaria ende nuk ka ratifikuar pranimin e Suedisë në NATO.

Ministri i Jashtëm suedez tha se autoritetet hungareze ia kanë konfirmuar se shteti i tyre nuk do të jetë shteti i fundit që do të ratifikojë pranimin e Suedisë në aleancë.


Shtuar 29.11.2023 12:26

Tags: , ,