Shtyhet seanca e Berishës, SPAK kërkon përjashtimin e gjyqtares Olldashi

Apeli i Posaçëm ka shtyrë seancën gjyqësore për ish-kryeministrin Sali Berisha për në orën 14:00. Përmes avokatit të tij, Berisha ankimoi verdiktin e gjyqtares antikorrupsion, Irena Gjoka, e cila shpalli masën detyrim për tu paraqitur dhe ndalin për të dalë jashtë vendit.

“Duke iu përgjigjur interesit të lartë të medias dhe publikut, mbi zhvillimin e seancës gjyqësore të datës 24.11.2023, ora 09:00, mbi çështjen penale nr. 173 akti, datë 17.11.2023 regjistrimi, regjistruar mbi ankimin e ankuesit/personit nën hetim S.B., me objekt: “Ankim ndaj vendimit nr. 442, datë 08.11.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, konstatimin e humbjes së fuqisë së masave të sigurimit “Detyrim për tu paraqitur në policinë gjyqësore” dhe “Ndalimi i daljes jashtë shtetit”, Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, informon se trupi gjykues monokratik i përbërë nga gjyqtarja Iliriana Olldashi, urdhëroi shtyrjen e seancës gjyqësore për në datë 24.11.2023, ora 14:00”, njofton Gjykata.

Ndërkohë, SPAK ka kërkuar përjashtimin e gjyqtares Ilirjana Olldashi për çështjen e Berishës pasi ka konflikt interesi. Kërkesa për përjashtimin e saj vjen pasi gjyqtara ishte në konflikt interesi pasi ka blerë banesë në kullat e ndërtuara te ish-Kompleksi i Partizani.

Më 21 nëntor 2023 Olldashi liroi nga qelia e paraburgimit dhëndrin e ish kryeministrit, Sali Berisha, në hetim për aferën e privatizimit të ish kompleksit ‘Partizani’.


Shtuar 24.11.2023 09:47