Prishtina ka regjistruar një sukses të rëndësishëm në transfertë përballë Ballkanit, në ndeshjen e vlefshme për javën e 10-të të Superligës së Kosovës.
Të lidhura
None found
Skuadra kryeqytetase, pavarësisht se mbeti me dhjetë futbollistë pas minutës së 76-të, arriti të largohej me pikët e plota falë fitores minimale 0-1.
Ballkani ishte më kërkues dhe krijoi më shumë mundësi shënimi, por portieri i Prishtinës reagoi në mënyrë të shkëlqyer në disa raste, duke e mbajtur portën të paprekur.
Të dyja ekipet e nisën takimin me qasje sulmuese, megjithatë aksionet e tyre nuk u konkretizuan në pjesën e parë.
Goli i vetëm i takimit u shënua në minutën e 49-të. Rin Ahmeti realizoi pas asistimit të Leotrim Kryeziut dhe u shndërrua në heroin e Prishtinës.
Fillimisht, goli u anulua, por pas ndërhyrjes së VAR-it u konfirmua se ishte i rregullt.
Prishtina u vu në vështirësi në minutën e 76-të, kur Diar Halili mori kartonin e dytë të verdhë dhe u ndëshkua me përjashtim nga loja.
Megjithatë, “Bardhëkaltërit” e administruan avantazhin deri në fund dhe siguruan fitoren. Pas këtij rezultati, Prishtina renditet e dyta me 23 pikë, po aq sa Malisheva, ndërsa Ballkani mbetet në vendin e gjashtë me 13 pikë.






