Policia e Lezhës ka arrestuar në fshatin Gocaj 3 persona, të cilët u kapën në flagrancë duke transportuar lëndë narkotike në drejtim të Tiranës.
Në kuadër të operacionit “Tempulli” u bë arrestimi i shtetasve E. M., 32 vjeç, banues në Tiranë (drejtuesi i automjetit), D. S., 36 vjeç dhe A. D., 37 vjeç, të dy banues në Tiranë (pasagjerë në automjet).
Gjatë operacionit, në aksin rrugor “Shkodër – Tiranë”, në fshatin Gocaj, shërbimet e Policisë kanë ndaluar automjetin tip “Renault” me të cilin dyshohej se po transportohej lënda narkotike. Gjatë kontrollit në këtë automjet, shërbimet e Policisë gjetën 3 thasë më lëndë të dyshuar narkotike cannabis sativa, me peshë totale 40 kilogramë e 200 gramë.
Nga veprimet hetimore dyshohet se lënda narkotike që u gjet në automjetin e marrë me qira nga shtetasi E. M., po transportohej në drejtim të Tiranës, me qëllim shitjen në doza.
Sasia e lëndës narkotike u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, bashkë me automjetin dhe 4 celularë.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme procedurale./Albeu.com