Inspektor I. Ç, me detyrë trupë shërbimi në Policinë Rrugore Kavajë, u pezullua nga Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës deri në sqarimin e plotë të këtij rasti.
Policia Durrës informon se ‘menjëherë pas publikimit të një video-je në portalin “JOQ”, nëpërmjet të cilës një shtetas pretendon se i ka dhënë ryshfet një punonjësi të Policisë Rrugore të Kavajës, ju informojmë se: Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, në zbatim të nenit 222 të rregullores së Policisë së Shtetit, ka pezulluar menjëherë nga detyra, deri në sqarimin e plotë të këtij rasti, punonjësin e Policisë, inspektor I. Ç, me detyrë trupë shërbimi në Policinë Rrugore, në Komisariatin e Policisë Kavajë.
Ndërkohë, Drejtoria e Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit ka nisur hetim disiplinor, për sqarimin e rrethanave të rastit dhe të pretendimit të këtij shtetasi. Policia e Shtetit falënderon qytetarët dhe median që denoncojnë raste të tilla, si dhe i siguron ata se është e vendosur për të larguar nga radhët e saj, cilindo punonjës policie që abuzon me detyrën.’