Hetimi i SPAK për familjen e ish-kryeministrit Berisha si edhe atë vetë konsiderohet një ngjarje e rendësishme për vendin, më shumë për pasojat që do të sjellë për të tjerët se sa për vetë të hetuarin. Kjo, pasi do të kthehet në një precedent, i cili mund të ndiqet edhe për politikanët e tjerë.
E përditshma “Dita”, e cilëson sot hetimin e Berishës, si “dominoja e parë” në rreshtin e dominove politikanë që duhet të bien në mënyrë që vendi të gjejë qetësi.
“Berisha nuk është një politikan dosido dhe ai gjithëpranohet si etalon i politikës së gjithëpushtetshme e të paprekshme në tranzicion.
Por, pavarësisht se çfarë mund të ndodhë më tej me hetimin e SPAK, boll preçedenti që Berisha sot po hetohet prej tij bën që politika e korruptuar deri dje arrogante, e të dyja krahëve, tashmë në panik, të ndjehet e brishtë ndaj ligjit që e ka shpërfillur pa teklif e kaq gjatë.
Ky hetim është një moment kulmor sepse tani e tutje, me shumë gjasa, do të shohim gjithnjë e më shumë përgjegjshmëri në politikë e qeverisje sepse drejtësia po provon se nuk ka ndërmënd të kursejë kënd.
Ky akt i SPAK është prova e shumëpritur se më në fund edhe politikës së korruptuar po i rrëshqet toka nën këmbë. E nëse bie dominoja e parë, të tjerat pasojnë vetvetiu dhe nëse sot po i ndodh Berisha, nesër mund t’i ndodhë kujtdo, z. Rama vetë, nëse kuturisen e bëhen ekuilibrista të rradhës në dërrasën e hollë e të kalbur të korrupsionit që nuk mban më prej peshës së abuzimit gjatë tranzicionit pafund”, shkruan gazeta duke vijuar:
“Hetimi i ngritur ndaj z. Berisha është një hap pakthim drejt hetimit me themel të korrupsionit të përfolur e të denoncuar tek të dyja krahët e politikës e qeverisjeve të deritanishme pa dallim. Ata që mbrojnë e vënë dorën në zjarr për Berisha sot duke u qarë se Rama po ia del pa lagur sepse kontrollon drejtësinë, harrojnë se tashmë Rama vetë dhe qeverisja e tij janë më të prekshëm se kurrë nga drejtësia që tashmë nuk heziton më për të vepruar nëse nesër a pasnesër kutërbon era shkelje apo abuzim”.