Trafikonte armë nga Kosova në Shqipëri, arrestohet 20-vjeçari në Tiranë (EMRI)

Policia e Tiranës ka vënë në pranga ditën e sotme një 20 vjeçar nga Kosova i cili akuzohet për trafik armësh.

20-vjeçari nga prishtina, Lis Bekaj, ka shfrytëzuar fundjavën për të sjellë armë në Shqipëri, pasi nuk ka kontroll në pikën kufitare të Morinës.

Policia e kryeqytetit sqaron se ndaj të riut ishte marrë informacion për transportimin e armëve nga Kosova drejt Shqipërisë.

Gjatë kontrollit të automjetit tip “BMË”, që 20-vjeçari drejtonte, efektivët gjetën të fshehura dy armë zjarri pistoleta, me krëhër e municion luftarak, të cilat i kishte sjellë në Shqipëri për t’i shitur tek persona të tjerë.

Njoftimi:

Finalizohet nga Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në DVP Tiranë, në bashkëpunim me Sektorin e Forcës së Posaçme Operacionale, operacioni policor i koduar “Transportuesi”.

Sekuestrohen dy armë zjarri pistoleta, krehra e municion luftarak, një automjet dhe një aparat celular. Shërbimet e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në DVP Tiranë, në bashkëpunim me Sektorin e Forcës së Posaçme Operacionale, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, pas informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore, për një shtetas që dyshohej se kishte transportuar armë zjarri, nga Kosova drejt Shqipërisë, me qëllim shitjen e tyre, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Transportuesi”.

Si rezultat i tij, në afërsi të pallatit “Asllan Rusi”, u kap dhe arrestua në flagrancë shtetasi L. B., 20 vjeç, banues në Prishtinë, Kosovë.

Gjatë kontrollit të automjetit tip “BMW”, që 20-vjeçari drejtonte, shërbimet e Policisë gjetën të fshehura dy armë zjarri pistoleta, me krëhër e municion luftarak, të cilat i kishte sjellë në Shqipëri për ti shitur tek persona të tjerë.

Armët e zjarrit u sekuestruan në cilësinë e provës materiale së bashku me automjetin dhe aparatin celular të 20-vjeçarit.

Punohet për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.


Shtuar 22.10.2023 15:30