Vangjush Dako kërkon ndryshim të masës së dënimit, bën rekurs në Gjykatën e Lartë

Ish-kryebashkiaku i Durrësit, Vangjush Dako ka bërë rekurs në Gjykatën e Lartë duke kundërshtuar vendimin e Apelit të Posaçëm që e la në burg.

Dako kërkon ndryshimin e masës së sigurisë “Arrest me burg”, ndërsa kërkesa, që tashmë është regjistruar nga gjykata, është depozituar më datë 18 tetor. Relator i kësaj çështjeje është caktuar gjyqtari Ilir Panda.

Ankimimi pritet të shqyrtohet në ditët në vijim. Ish-kryebashkiaku i Durrësit u arrestua më 6 qershor me urdhër të SPAK, pasi dyshohet se ka shpërdoruar detyrën në dy raste. Rasti i parë ka të bëjë me dhënien e një lejeje ndërtimi në vitin 2011 për një pallat, në lagjen numër pesë, në qendër të Durrësit që u dëmtua nga tërmeti tragjik i 2019-ës. Sipas dosjes hetimore, pallati kishte 4 kate pa leje dhe se legalizimi i objektit ishte kryer në shkelje të ligjit.

Ndërkohë, rasti i dytë kundër Vangjush Dakos ka të bëjë me një kallëzim për tenderin e shëtitores që sipas Kontrollit të Lartë të Shtetit, llogaritet se i është shkaktuar buxhetit një dëm prej 18 milionë lekësh. Nën akuzë bashkë me Vangjush Dakon, janë dhe nëntë persona të tjerë pjesa më e madhe e të cilëve ish-zyrtarë të bashkisë së qytetit bregdetar.


Shtuar 20.10.2023 11:16