“400 euro”, shisnin bileta për ndeshjen Shqipëri-Çeki me anë të mashtrimit, nën hetim 4 persona

Policia e Tiranës ka nisur hetimet për 4 persona, të cilët me anë të mashtrimit shisnin online bileta për ndeshjen Shqipëri-Çeki.

Specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare në DVP Tiranë, në vijim të punës për goditjen e veprimtarive kriminale, pas informacioneve të siguruara për disa shtetas, të cilët reklamonin në rrjete sociale dhe shisnin me anë të mashtrimit, bileta për ndeshjen e ditës së sotme, me çmime shumë të larta, menjëherë kanë organizuar punën për identifikimin dhe vënien e tyre përpara përgjegjësisë ligjore.

Në vijim të veprimeve u referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit S. A., 35 vjeç, R. H., 22 vjeç, A. O., 31 vjeç dhe E. Gj., 34 vjeç, të katërt banues në Tiranë.

Nga veprimet hetimore ka rezultuar se këta shtetas kishin krijuar një skemë mashtrimi për shitjen e biletave për ndeshjen Shqipëri-Çeki, me çmime që shkonin deri në 400 euro.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme./Albeu.com 


Shtuar 12.10.2023 10:12