Dakordësia për rezolutë të përbashkët, Berisha: Arritje e madhe kombëtare

Ish-kryeministri Sali Berisha para nisjes së seancës plenare, ku do të diskutohet për Kosovën ka dhënë një deklaratë për mediet.

Ai ka komentuar  dakordësinë e arritur dje mes opozitës dhe maxhorancës për rezolutën e Kosovës, e cila pritet të miratohet sot në Kuvend.

Gjatë fjalës së tij pak para nisjes së seancës plenare, Berisha e cilësoi këtë konsensus, një arritje të madhe kombëtare.

Berisha: Për interesat e kombit shqiptar, që nga viti 2013 gjer më sot, ne kemi qenë në pozita të kundërta në qëndrimin ndaj Kosovës me PS-në dhe Edi Ramën dhe kjo është shumë e njohur. Marrëdhëniet e Shqipërisë me Kosovën, mendoj unë se duhet të ndërtohen së pari në parimin e mosndërhyrjes në mënyrë kategorike në punët e brendshme. Sado që jemi vëllezër, nuk jemi një shtet dual, jemi dy shtete të pavarura. Dhe në këtë kontekst, respektimi i vullnetit të zgjedhësve në dy shtetet, është kusht themelor se është respektim i sovranitetit.

Kjo nuk ka ndodhur në këto 10 vite, të mos hyj këtu për të listuar të gjitha aktet. Mendoj se konsensusi shënon një arritje të madhe kombëtare. Se u ra dakord të mbështetej plotësisht rezoluta e Kosovës. Këtë prisnin shqiptarët e Kosovës nga parlamenti i Shqipërisë, priste çdo shqiptar që e do këtë vend.
Plus dy rekomandime të tjera. Tani mund të thoni ju se çfarë ndodhi? Aq sa mund ta merrni vesh se çfarë ndodhi me Ballkanin e Hapur, me promotorin e tij, mund të merret vesh. Po për ne, rëndësi ka që deputetët sot do të votojnë mbështetjen e plotë për rezolutën e Parlamentit të Kosovës dhe ky është një akt shumë i rëndësishëm në një moment shumë të rëndësishëm./Albeu.com 


Shtuar 12.10.2023 10:07