Në futboll, aq më tepër në Shqipëri, nuk ka dashuri të përjetshme, sado e bukur të jetë. Orges Shehi-Tirana dukej një binom fitues, një bashkëjetesë që nisi me 31 maj 2021 duke e shndërruar Shehin në trajnerin më jetëgjatë në krye të bardhebluve. Ky ishte sezoni i tretë i Orges Shehit në krye të Tiranës, por që zgjati vetëm 6 javë pasi klubi i Tiranës e ka shkarkuar nga detyra. Dy humbjet e fundit, kundër Skënderbeut dhe Laçit, kanë detyruar drejtuesit e Tiranës të marrin këtë vendim, të shkarkojnë Orges Shehit, trajneri që i solli klubit 1 titull kampion dhe dy Superkupa.
Pas mbledhjes së zhvilluar këtë të enjte, klubi i Tiranës i ka komunikuar Shehit shkarkimin. Ky nuk ishte një vendim befasues pasi mes Shehit dhe presidentit Halili ka pasur një krisje të thellë këtë periudhë, që pas merkatos së verës, por gjërat u sheshuan pas një aventure pozitive në Evropë.
Drejtuesit e klubit këtë periudhë u përpoqën të gjenin një konsensus me Shehin, por trajneri nuk pranoi të jepte dorëheqjen, fundja ishte nën kontratë deri në fund të sezonit, ndërsa gjatë verës refuzoi të paktën tre oferta konkrete për të qëndruar te Tirana. As në shifra nuk qëndron ky shkarkim pasi Tirana është ende në lojë, ndodhet në vendin e katërt me 10 pikë, 3 më pak se Egnatia kryesuese, ndërsa kanë dhe një ndeshje më pak.