Hiqet ora policore, ja masat e reja që mori Qeveria (VIDEO)

Qeveria e Kosovës ka miratuar lehtësimin e masave antiCovid-19. Është hequr ora policore, ndrsa gastronomia do të lejohet të punojë deri në ora 23:00. Po ashtu është  lejuar lëvizja pa maska gjatë ecjes për qytetarët që  janë vet dhe në ambiente të jashtme.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, bëri me dije se sipas raportit të IKSHPK-së, situata epidimiologjike me Covid-19 në Kosovë paraqitet e qëndrueshme me vazhdimin e uljes së numrit të rasteve pozitive.

Sipas tij, ulja e rasteve pozitive për dy javët e fundit krahasuar me dy javët paraprake shënon një rënie prej 67.08 për qind.

Vitia tha se në një situatë të tillë duke iu referuar të dhënave aktuale mbi situatën epidiomologjike dhe rekomandimeve të IKSHPK-së Qeveria cakton masa më të lehtësuara që të mundësojnë një aktivitet të shtuar ekonomik, por njëkohësisht synojnë edhe kontrollin e përhapjes së infeksionit.

MSh ka bashkërenduar vendimmarrjet me palët e interesit të cilat kanë qenë të ndikuara drejtpërdrejt apo tërthorazi nga pandemia.

“Masat kryesore me impakt më të madh do të jenë si në vijim: Kufizimi i orarit të qarkullimit do të hiqet. Megjithatë nga ora 00:00 deri në ora 05:00 nuk lejohet grumbullimi i më shumë se 10 personave qoftë në ambiente të hapura, qoftë në ambiente të tjera, përveç ambienteve me anëtarët e familjes. Zgjatjen e orarit të punës për shërbimet e gastronominë do të jetë deri në orën 23:00. Lejimin e lëvizjes pa maska gjatë ecjes kur ata janë vet dhe në ambiente të jashtme”, tha ai.

Këto masa do të hyn në fuqi nga e hëna më 31 maj 2021.


Shtuar 28.05.2021 19:48