Berisha: Sulmi terrorist në Kosovë u parapërgatit nga Rama dhe Vuçiç

Ish-kryeministri Sali Berisha ka thënë sulmi terrorist në Kosovë ishte parapërgatitur nga Edi Rama dhe Aleksandër Vuçiç.

Ai tha në konferencën e sotme për gazetarët në një takim jopublik, 2 kryeministra, veç atij të Serbisë, kanë paraqitur idenë që KFOR të marrë në kontroll veriun e Kosovës.

Sipas tij, Rama dhe Vuçiç kanë plan zhbërjen dhe ndarjen e Kosovës.

“Në këtë situatë siucidi politik të Ramës, ai është bërë shumë i rrezikshëm për rajonin dhe Shqipërinë. Skenari, akti terrorist që kryen falangat terroriste serbe në Zveçan, kishte një background të parapërgatitur nga Edi Rama dhe Aleksander Vuçiç. Burime nga Kombet e Bashkuara bëjnë me dije se në sallat e kësaj selie, në një takim jopublik 2 kryeministra, përveç atij të Serbisë, duke shtrigëzuar Albin Kurtin, kanë paraqitur kërkesa që komuna me shumicë serbe në Veriun e Kosovës të vendosen nën kontrollin e KFOR. Emra nuk citohen, por pse del Edi Rama? Del sepse në 24 shtator në orën 11, sapo u mor vesh vrasja e policit në krye të detyrës, Rama vrapoi me të madhe të kërkojë konferencën ndërkombëtare për Kosovën. Kjo tezë është diskutuar edhe në këtë mbledhje. Kjo kërkesë është paraqitur nga Vuçiç dhe terroristët e Listës Serbe. Rama me Vuçiç kanë vetëm një plan, zhbërjen dhe ndarjen e Kosovës”, tha Berisha.


Shtuar 29.09.2023 12:57