Iu prezantuan si përfaqësues të një zyrtari për t’i zhvatur 70 mijë euro biznesmenit, 4 të arrestuar në Tiranë, 2 në kërkim

Policia e Tiranës ka vënë në pranga 4 persona dhe ka shpallur në kërkim 2 të tjerë.

Sipas policisë, këta shtetas tentuan të përfitonin një shumë të madhe parash, nëpërmjet mashtrimit, nga një shtetas (biznesmen), duke u prezantuar si përfaqësues të një zyrtari shtetëror.

 

Janë sekuestruar 2 automjete dhe 6 celularë.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, në bashkëpunim me specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare të DVP Tiranë dhe DVP Elbasan, në vijim të punës për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e krimeve ekonomike, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Fraud”, për identifikimin, kapjen dhe vënien në pranga të disa shtetasve, të cilët në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kishin tentuar të mashtronin një biznesmen, për të përfituar shumën 70 000 euro.

Si rezultat i këtij operacioni u bë arrestimi i shtetasve Xh. Xh., 24 vjeç, L. Xh., 39 vjeç, M. P., 30 vjeç, të tre banues në Elbasan, dhe P. F., 51 vjeç, banues në Vlorë.

Gjithashtu, u shpallën në kërkim shtetasit Xh. Q., 27 vjeç, banues në Elbasan, dhe F. Gj., 40 vjeç, banues në Shkodër.

Këta shtetas kanë tentuar të mashtrojnë një shtetas (biznesmen), për të përfituar shumën 70 000 euro, duke u prezantuar si përfaqësues të një zyrtari shtetëror.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 2 automjete dhe 6 aparate celulare.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme./Albeu.com


Shtuar 29.09.2023 09:13