Ditën e djeshme Apeli i Posaçëm i GJKKO-së shtyu për në datën 31 gusht seancën lidhur me 6 të arrestuarit gjatë operacionit “Metamorfoza”.
Bëhet me dije, se Prokuroria e Posaçme ka nisur hetimin pasuror për personat e hetuar në kuadër të këtij operacioni.
Mes personave që po hetohen janë edhe biznesmeni Pëllumb Gjoka, ish-drejtuesi i Forcës Operacionale Oltion Bistri dhe ish-kryeprokurori i Kukësit Xhevahir Lita.
Në sitën e Prokurorisë së Posaçme do të kalojnë prona të paluajtshme dhe të luajtshme, automjete, banesa, biznese, llogari bankare etj.
Qëllimi i hetimeve ka të bëjë me zbulimin e të ardhurave për të siguruar këto të mira materiale dhe nëse kanë burime të ligjshme. Ky hetim po ndiqet nga dy prokurorët Altin Dumani, i cili është edhe kreu i SPAK dhe Arben Kraja.
Sakaq, gjatë seancës së zhvilluar ditën e djeshme, e cila zgjati rreth 3 orë asnjë ng atë arrestuarit nuk ishin të pranishëm.
Ata u përfaqësuan nga avokatët e tyre.
Avokatët deklaruan se nuk mund të merren prova nga “Encrochat” pasi nuk parashikohet me ligj.
Sipas tyre nuk është e drejtë që të qëndrojnë në burg me provat e “Encrochat”.
Avokati i biznesmenit Pëllumb Gjoka, Ylli Manjani, tha se për të lidhur një person me ngjarje kriminale duhet prova dhe jo hamendësime.
“Hetimi në Francë është bërë për trafikun e drogës. Për të lidhur një person me një ngjarje konkrete, duhet të ketë prova dhe jo hamendësime. SPAK nuk është burimi zyrtar i vetëm”, tha Manjani.
Në sajë të këtij operacioni u shpallën në kërkim dhe 9 persona të tjerë mes te cilëve Behar Bajri dhe Ervis Martinaj. SPAK, finalizoi dhe lëshoi 15 urdhër arreste për këtë operacion, pas zbërthimit të aplikacionit SKY. Ndaj tyre rendojnë 12 vepra penale, nga ajo e vrasjes me paramendim, grup i strukturuar kriminal, korrupsion i zyrtarëve të lartë shtetërorë deri në shpërdorim detyre e pastrim parash.
Hetimet nisën në vitin 2019 pas informacioneve të përcjella nga autoritetet holandeze, belge dhe ato franceze që kanë mundur të sigurojnë komunikime mes anëtarëve të grupit ne rrjetin enchro chat dhe sky. Nga hetimet ka rezultuar se biznesmeni Pëllumb Gjoka ka kërkuar nga shtetasi Behar Bajri që të kryente vrasjen e një personi. Bëhet fjalë për shtetasin Klenthi Musabelli një ish punonjës i policisë së burgjeve.
Për ekzekutimin e tij, Gjoka ofroi deri në 120 mijë euro. Por referuar komunikimeve ka rezultuar se Bajri ka komunikuar me Ervis Martinaj duke kanë shkëmbyer objektivët e tyre. Behar Bajri dhe Denis Borrici ekzekutojnë shtetasin Gjin Boriçi për interes të Martinajt dhe ky i fundit do të eliminonte Kleanth Musabelliun vrasje e cila nuk u realizua.
Një tjetër emër i njohur për drejtësinë është edhe ai i Asmer Bilalit ndaj të cilit rëndojnë akuzat për sigurim kushtesh për të kryer vrasje të ngelur në tentativë ndaj shtetasve Dorjan Duli, Ibrahim Lici dhe Genc Tafili. Një emër tjetër për të cilin është vendosur masë siguria është edhe Elion Hato, që dyshohet për vrasje me paramendim të mbetur në tentativë në dëm të shtetasit Taulant Pepa./Albeu.com/