VIDEO/ Plagosi rëndë me thikë 2 vëllezër në Tiranë dhe “ia mbathi”, arrestohet në një hotel lushnjari

Një 35-vjeçar është arrestuar nga polica e Tiranës pasi ka plagosur rëndë me mjete prerës dy vëllezër.

Pas ngjarjes së rëndë autori i dyshuar arriti të largohej, por pas ndjekjes intensive nga policia u bë e mundur kapja dhe arrestimi i tij.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërisë, kapjen dhe vënien përpara përgjegjësisë të shtetasve që kryejnë vepra penale, pas informacioneve se një shtetas kishte plagosur rëndë me mjet prerës 2 vëllezër, në rrugën “Thoma Koxhaj”, dhe më pas ishte larguar, menjëherë kanë organizuar operacionin policor të koduar “Tracking”, për kapjen e tij.

“Si rezultat i këtij operacioni, pas disa orësh ndjekje intensive, është bërë lokalizimi dhe arrestimi i shtetasit Gert Latifi, 35 vjeç, banues në Lushnjë”, informon policia.

Shtetasi Gert Latifi, pas një konflikti për motive të dobëta, në rrugën “Thoma Koxhaj”, ka goditur me mjet prerës shtetasit Rrest Abazaj, 26 vjeç dhe Viliardo Abazaj, 31 vjeç (vëllezër), të dy banues në Tiranë, dhe më pas është larguar.

Me marrjen e informacionit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, janë vënë menjëherë në ndjekje të tij dhe pas disa orësh ndjekje intensive, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit e Policisë Lushnjë, në një hotel në Lushnjë, kanë lokalizuar shtetasin Gert Latifi, së bashku me një 17-vjeçar.

Gjatë kontrollit fizik, shtetasit Gert Latifi iu gjetën dhe sekuestruan 1150 euro, sasi lënde e dyshuar narkotike kokainë, si dhe mjeti prerës që dyshohet se ka përdorur për plagosjen e 2 vëllezërve.

Në vijim të veprimeve, nisi procedimi penal për 17-vjeçarin, pasi dyshohet se ka patur dijeni për ngjarjen dhe nuk ka kallëzuar pranë organeve kompetente.

Dy vëllezërit e dëmtuar ndodhen në spital, nën kujdesin e mjekëve.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale./Albeu.com/