Një duel i planifikuar midis liderëve të teknologjisë Elon Musk dhe Mark Zuckerberg, mund të organizohet në Itali, dhe të ketë motive të Romës së lashtë, raporton BBC.
Ministri i Kulturës së Italisë, Gennaro Sangiuliano, ka thënë të premten se ka folur me kreun e Teslas dhe X (ish-Twitteri), Elon Musk, që dueli me kreun e Metas, Zuckerberg, të organizohet në Itali dhe të jetë ngjarje bamirësie.
Dy miliarderët Musk e Zuckerberg kanë folur për një duel që nga qershori.
Nëse organizohet, atëherë pritet që miliona të dhurohen për spitale të fëmijëve.
Duke folur për vizionin e tij në platformën X, Musk ka thënë se ka folur si me kryeminisren e Italisë, Giorgia Meloni, ashtu edhe me ministrin e Kulturës.
“U pajtuam për një lokacion epik. Çdo gjë në kamerë do të jetë e Romës së lashtë, pra asgjë moderne”, ka shkruar Musk.
Mirëpo, kryeqendra Roma, dhe Koloseumi ikonik – ku janë mbajtur luftërat e gladiatorëve në kohën e lashtë – janë përjashtuar si arena të mundshme.