Portieri i ri i Milanit zbulon batutat me Ibran kur ishin te PSG-ja

Mike Maignan po përgatitet të bëhet një portier i Milanit, aty ku do të gjejë edhe një njohje të vjetër të tij, liderin e kuqezinjve, Zlatan Ibrahimoviç. I rritur në ekipet e moshave të Paris Saint Germain, Maignan ka pasur mundësi të stërvitet shumë herë në krah të gjigantit suedez, teksa në një intervistë zbulon edhe detaje interesante nga marrëdhënia mes tyre.

“E kujtoj shumë mirë, pasi isha vetëm 17 vjeç dhe Ibra gjuante shumë fort, a thua se po kërkonte t’i shënonte Julio Cesarit apo Buffonit. Nuk ia prisja dot gjuajtjet dhe më thoshte gjithmonë ‘je një portier m…’. Një herë i prita një nga gjuajtjet dhe nuk mund të rrija pa ia kthyer kusurin, pasi i thashë se ti je një sulmues m…”, tregon Maignan.

 

 

Gardiani 26-vjeçar nuk gjeti hapësira te Paris Saint Germain dhe në 2015-ën u transferua te Lille, aty ku ka shkëlqyer në tre sezonet e fundit dhe sapo u shpall edhe kampion i Francës.

Paraditen e sotme portieri francez kreu vizitat mjekësore në Milano dhe shumë shpejt pritet të zyrtarizohet si blerja më e re e kuqezinjve, që në këtë mënyrë po mbrohen nga një largim i mundshëm i Donnarummës, i cili nuk ka rinovuar ende.


Shtuar 26.05.2021 09:54