Nga Tatishe Nteta, Jesse Rhodes & Adam Eichen “Newsweek”
Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com
Udhëheqësi i pakicës në Senatin e SHBA-së, republikani Mitch Mcconnell, aktualisht 81-vjeç u bllokua fizikisht gjatë një konference të përjavshme për media dhe u largua me shpejtësi prej andej. Kjo ngjarje erdhi në mesin e shqetësimeve në rritje në lidhje me mprehtësinë mendore dhe aftësinë fizike të senatores demokrate Dianne Feinstein, e cila në moshën 90-vjeçare ka munguar për mbi 3 muaj dhe mbi 90 votime në Senat pasi po kurohej për shkak të prekjes një nga formë e rëndë e herpesit.
Duke marrë shkas nga ngjarje me Mcconnell, Nikki Haley, ish-guvernatoree Karolinës së Jugut dhe aktualisht kandidate për presidente në garën brenda Partisë Republikane, bëri thirrje që politimani veteran të tërhiqej më në fund nga politika.
Po ashtu Haley tha se mbështet nismën për vendosjen e kufijve për mandatet federale si dhe për kryerjen e testeve të vazhdueshme mbi mprehtësisë mendore të anëtarëve të Kongresit dhe Senatit të SHBA. Haley nuk është e vetmja që ngre pikëpyetjen nëse “duhet të largohen” anëtarët më të moshuar të Kongresit.
Një sondazh i fundit me banorët e Kalifornisë, zbuloi se gati 2/3 e kalifornianëve besojnë se senatorja Feinstein nuk është më e aftë për të shërbyer në detyrë. Ndërkohë disa anëtarë demokratë të Kongresit si Ro Khanna dhe Dean Phillips, kanë bërë thirrje që Feinstein të japë dorëheqjen.
Si Mcconnell dhe Feinstein deklaruan se synojnë të çojnë deri në fund mandatet e tyre aktuale. Por vetëm Feinstein ka njoftuar publikisht se nuk do të kërkojë të rizgjidhet në zgjedhjet e 2024-ës. Këto debate nuk kanë të bëjnë vetëm me anëtarët e shquar të Kongresit Amerikan.
Thelbi është se udhëheqja jonë kombëtare po plaket ndjeshëm. Kongresi ka një moshë mesatare më të lartë se kurrë më parë. Senatori mesatar është 65 vjeç, dhe gati 3 nga 4 senatorë janë anëtarë të brezit “Silent” (të lindur midis viteve 1928-1945) ose të brezit “Baby Boomer” (lindur midis viteve 1946-1964).
Ndërkohë, në moshën 80-vjeçare, presidenti aktual Joe Biden është njeriu më i moshuar i zgjedhur ndonjëherë president i Shteteve të Bashkuara. Ka sinjale të forta se amerikanët janë të shqetësuar me thinjat e lidershipit të kombit tonë.
Në qershor, ne pyetëm një kampion përfaqësues prej mbi 1000 amerikanësh nëse ata e mbështesin miratimin e një amendamenti kushtetues që do të vendoste një moshë maksimale për të shërbyer në Senatin e SHBA-së. Dhe zbuluam se mbi 2/3 e amerikanëve (67 për qind) shprehën mbështetje për këtë amendament kushtetues, ndërsa vetëm 11 për qind u shprehën kundër një ndryshimi të tillë.
Në një epokë të mbushur plot me ndarje partiake, racore, klasore dhe brezash, miratimi i këtij amendamenti kushtetues gëzoi mbështetjen e shumicës nga demokratët (68 për qind), republikanët (72 për qind), të pavarurit (55 për qind), afrikano-amerikanët (64 për qind), amerikano-latinët (62 për qind), aziatikët (65 për qind), të bardhët (68 për qind), të rinjtë amerikanë (61 për qind), amerikanët e moshës së mesme (67 për qind), amerikanët e moshuar (68 për qind) dhe në të gjitha nivelet e të ardhurave dhe arsimit.
Në një sondazh të zhvilluar në janar, ne zbuluam se një shumicë e ngjashme amerikanësh favorizonin gjithashtu një kufi kushtetuese për zgjedhjen në presidencë. Florida nuk mund të vendosë nëse dëshiron të fshijë historinë e zezë, apo thjesht të gënjejë.
Kur pyetëm të anketuarit se cila duhet të jetë mosha maksimale e shërbimit në admnistratë, mosha maksimale mesatare ishte 66 vjeç për Senatin e SHBA-së dhe 67 për presidencën. Çuditërisht, amerikanët e moshuar favorizuan një moshë më të re se sa amerikanët më të rinj.
Por edhe amerikanët më të moshuar (ata 55 vjeç e lart) sugjeruan një moshë mesatare maksimale prej 69 vjeç për Senatin, dhe një moshë mesatare maksimale prej 70 vjeç për presidencën. Amerikanët më të rinj u shprehën në favor të një moshe mesatare maksimale prej 59 vjeç për Senatin dhe 63 për presidencën.
Në rast se zbatohet, çdo ndryshim i tillë do të skualifikonte shumë senatorë në detyrë por edhe presidentin aktual. Por pse amerikanët janë kaq të gatshëm të marrin në konsideratë kufizimin e moshës për shërbimin në pozitat e larta të udhëheqjes kombëtare? Sepse për fat të keq mosha nuk është vetëm një numër.
Ndërsa është thelbësore të shmanget diskriminimi i bazuar tek mosha, ka arsye serioze për t’u shqetësuar në lidhje me një lidership kombëtar të thinjur. Së pari, siç po shihet me senatorët Mcconnell dhe Feinstein, amerikanët e moshuar kanë shumë më shumë gjasa të përballen me probleme shëndetësore serioze, të cilat mund të ndërhyjnë në përgjegjësitë e postit të tyre.
Por ajo çfarë është ndoshta më e rëndësishmja: amerikanët e moshuar priren të kenë pikëpamje shumë të ndryshme për çështje të rëndësishme sesa ata më të rinj. Amerikanët e moshuar kanë qëndrime më konservatore mbi një gamë të gjerë çështjesh, nga ndryshimi i klimës tek të drejtat transgjinore e deri tek politika e strehimit.
Amerikanët e moshuar kanë të drejtën e një përfaqësimi proporcional në qeverinë federale. Por në kushtet kur gjysma e vendit është nën 38 vjeç, ndërsa vetëm 5 për qind e Kongresit është mbi 65 vjeç, atëherë ka diçka në sistemin tonë të përfaqësimit që ka dalë jashtë ekuilibrit.
Ne duhet t’i nderojmë kontributet e amerikanëve të moshuar që shërbejnë në postet më të larta kombëtare. Dhe ndërsa nuk kemi ndoshta nevojë që të ndryshojmë Kushtetutën për të vendosur një kufi maksimal mbi moshën e shërbimit në këto detyra, fakti që kaq shumë amerikanë mbështesin një ide të tillë, sugjeron që duhet të zhvillojmë një debat kombëtar se si duhet të sjellim më shumë të rinj në politikën tonë kombëtare.
Kjo gjë do të ndihmojë që amerikanët e të gjitha moshave të gëzojnë përfaqësimin e duhur në sallat e pushtetit.
Shënim:Tatishe Nteta, profesore e shkencave politike në Universitetin e Masaçusets në Amherst dhe drejtoreshë e UMass Poll. Jesse Rhodes profesor i shkencave politike në Universitetin e Masaçusets. Adam Eichen, hulumtues në UMass Poll.
/albeu.com