Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka Pula, ka vendosur që Kuvendi ta rishqyrtojë Ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.
Vendimi u mor pasi Presidenca pranoi kërkesën zyrtare të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), sponsoruesit të ligjit, për t’i mundësuar Kuvendit ta shqyrtojë sërish atë.
Të lidhura
None found
Fokusi i rishqyrtimit, sipas njoftimit, është te dispozitat për juridiksionin dhe mandatin e Dhomave të Specializuara, si dhe te mbrojtja e plotë e të drejtave kushtetuese të personave që po gjykohen në këtë institucion në Hagë.
Në arsyetimin e saj, presidentja theksoi sakrificën dhe rolin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe të drejtuesve të saj në luftën për lirinë dhe pavarësinë e vendit.
Ajo rikujtoi edhe mbështetjen për Deklaratën e Kuvendit të Republikës së Kosovës të 28 shtatorit 2026, lidhur me aktgjykimin e Dhomave të Specializuara në Hagë për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin.
Presidentja përsëriti kundërshtimin ndaj çdo përpjekjeje për shtrembërimin e historisë së Kosovës, vënien në dyshim të karakterit çlirimtar të luftës apo barazimin e popullit që luftoi për liri dhe mbijetesë me regjimin shtypës.
Po ashtu, në arsyetimin e vendimit bëhet e ditur se Shiroka Pula ka zhvilluar dhe vijon konsultimet me përfaqësues të institucioneve dhe subjekteve përkatëse shtetërore. Synimi është bashkërendimi i veprimeve institucionale e diplomatike për dokumentimin, mbrojtjen dhe afirmimin e së vërtetës historike për Luftën Çlirimtare të Kosovës dhe rolin e UÇK-së, si dhe për mbrojtjen sa më të mirë të të drejtave dhe interesave të krerëve të saj që po gjykohen në Dhomat e Specializuara.






