Policia ka vënë në pranga një 17-vjeçar në Gjirkastër, i cili u kap duke transportuar 8 emigrantë të paligjshëm nga Saranda në drejtim të Tiranës, në kërkim të 500 eurove.
Në kërkim është shpallur drejtuesi i automjetit, i cili sapo pa policinë u arratis.
Njoftimi i policisë:
DVP Gjirokastër/Finalizohen gjatë 24 orëve të fundit, 2 operacione kundër veprimtarisë kriminale të dhënies ndihmë shtetasve të huaj, kundrejt fitimeve, për kalim të paligjshëm të kufirit.
Gjatë njërit nga operacionet u vu në pranga një shtetas që transportonte me një automjet që e drejtonte pa leje drejtimi, 8 shtetas nga vendet e treta, ndërsa gjatë operacionit tjetër u shpall në kërkim një 25-vjeçar që transportonte 8 shtetas të tjerë nga vendet e treta dhe braktisi automjetin sapo vuri re që po ndiqej nga shërbimet e Policisë.
Policia ka sekuestruar 2 automjetet me të cilat këta shtetas transportonin kundrejt pagesave, emigrantët që synonin të kalonin ilegalisht kufirin.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme, në bashkëpunim me DRKM Gjirokastër, kanë finalizuar gjatë 24 orëve të fundit, operacionet policore të koduara “Road Guard 69” dhe “Road Guard 70”, për goditjen e veprimtarisë kriminale të dhënies ndihmë shtetasve të huaj, kundrejt fitimeve, për kalim të paligjshëm të kufirit.
-Gjatë operacionit “Road Guard 69”, në aksin nacional “Ura e Dragotit – Ura e Leklit”, në vendin e quajtur “Kthesa e fshatit Kodër”, shtetasi G. M., duke drejtuar automjetin me të cilin po transportonte drejt Tiranës, 8 emigrantë nga vendet e treta, kundrejt shumës 500 euro/person, sapo ka vënë re se po ndiqej nga shërbimet e Policisë, ka braktisur automjetin dhe ka mundur të largohet.
Në vijim të veprimeve u shpall në kërkim drejtuesi i automjetit, shtetasi G. M., 25 vjeç, banues në Krujë. Vijon puna për kapjen e tij.
– Gjatë operacionit policor të koduar “Road Guard 70” u arrestua në flagrancë I. B., 17 vjeç, banues në Durrës.
Ky shtetas u kap në flagrancë nga shërbimet e Policisë, në vendin e quajtur “Ura e Kardhiqit”, duke drejtuar pa leje drejtimi automjetin tip “Volksëagen”, me të cilin po transportonte nga Saranda në drejtim të Tiranës, kundrejt pagesës, 8 emigrantë nga vendet e treta që synonin të kalonin ilegalisht nga Shqipëria në vendet e BE-së.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 2 automjetet me të cilat transportoheshin emigrantët dhe 1 aparat celular.
Materialet për të dyja rastet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme./albeu.com