Mbrëmjen e djeshme një aksident i mori jetën një 16 vjeçari në Ballsh.
Agim Hoxha po kthehej nga puna me motor bashkë me një shok, 18-vjeçarin Lion Ahmetaj, kur tek ura “Ura e Lumit”, një makinë i përplasi. Agimi gjeti vdekjen në vend, teksa Lioni në gjendje të rëndë po lufton ende me vdekjen në spital.
“Unë sot në mëngjes e kam marrë vesh. Ndeza një qiri për shpirtin e atij çunit, për shpirtin e atij 16-vjeçari se kam fëmijë vetë, ma ka lënë burri çunin 10 muajsh. Është vrarë shpejt burri im këtu, ka 30 vjet. Aksident në makinë. Ishte fati. Prandaj erdha. E kishte ndjerë situatën djali për atë Zot, o Zot se kemi mbajtur Ramazan, ç’bëri ai djalë.
Ishte djalë i shkathët, nuk e prishte njëherë gojën, të gjithë e donin në kolektiv, në punë. Të gjithë e urdhëronim ne atë, e donim shumë. I thosha do të rrisim, do të martojmë, do të bëjmë dhëndër. E puthja nga zverku se nga korona. Na është dhimbsur shumë, po qan i gjithë fshati, gjithë kolektivi. Çunat e sportit nuk hëngrën bukë sot në mëngjes, të gjithë po qanin”, tregoi gruajae cila punonte në një vend me Agimin dhe banonin në një vend.