Ditën e sotme, deputetët socialistë në Komisionin e Ligjeve kanë miratuar me urgjencë draftin e qeverisë për legalizimin e kanabisit, teksa opozita nuk ishte e pranishme.
Projektligji është votuar me 13 vota pro dhe 2 abstenim. Drafti i Qeverisë ka marrë pro shumicën e votave të deputetëve socialistë, ndërkohë që Fatmir Xhafaj dhe Pandeli Majko kanë abstenuar.
Teksa në Kuvend debatohej për arrestimin e Ahmetajt, në një nga sallat e katit të dytë të Kuvendit, kryetarja e Komisionit të Ligjeve, Klotilda Bushka ka thirrur mbledhjen e Komisionit dhe në rend dite ishte drafti i Qeverisë për legalizimin e kanabisit.
Deputetët e opozitës akuzuan në seancë se pr/ligji ka kaluar në fshehtësi.
“Si mund të ndodhë që në prani të 140 deputetëve, e medias të mashtroni opinionin publik shqiptar. Të mblidhet komisioni i ligjeve në mënyrë të fshehtë, pa kuorumin e nevojshëm, pa procesverbal, pa incizim, pa ditur asnjë deputet i komisionit të ligjeve dhe të merrni një vendim për 10 minuta legalizimin e kanabisit. Legalizimin e drogës në Shqipëri. Këtë po bëni, dhe na tregoni se po shkelni rregulloren. Jo po kërkojmë respektimin e rregullores” tha deputeti i PD-së Dash Sula.
Edhe deputetja Çupi e denoncoi: Janë votuar në mënyrë abuzive 45 nëne të ligjit të kanabisit, pa kamera, pa regjistrim, pa opozitën, pa kuorum. Ka pasur edhe nga ty deputetë që kanë abstenuar. Ky është një turp, kjo është papërgjegjshmëri”.
Dje në komisionin e ligjeve Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu para deputetëve të Komisionit te Ligjeve sqaroi se ligji në këtë fazë lejon kultivimin e kanabisit mjekësor vetëm për eksport.
Këshilli i Ministrave miratoi në qershor 2023 projektligjin për legalizimin e kanabisit për përdorim mjekësor.