Samiti i NATO-s në Vilnius, Rama: Më të vendosur se kurrë për të mbrojtur lirinë

Udhëheqësit e shteteve anëtare të Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior (NATO) do të takohen në Vilnius të Lituanisë sot dhe nesër.

I pranishëm do të jetë edhe kryeministri Edi Rama, i cili publikoi më herët  një video nga samiti i NATO-s në Vilnius, Lituani, ku thotë se i gjen aleatët më të fortë dhe më të vendosur për ruajtjen e paqes.

“Dhe me mesazhin e këtij viti të Samitit të Vilnius, Lituani që i gjen aleatët e NATO-s më të fortë e më të vendosur, për të mbrojtur lirinë dhe sigurinë e popujve tanë, ju uroj një ditë të mbarë”, shkruan Rama në Facebook.

Udhëheqësit e aleancës ushtarake të NATO-s mblidhen sot dhe nesër në Vilnius të Lituanisë. Samiti zhvillohet në një kohë kritike për sigurinë në Evropë, pasi lufta në Ukrainë është në mesin e një kundërofensive të Kievit.

Samiti vjen, gjithashtu, një vit pas takimit të Madridit, ku aleatët e NATO-s kanë rënë dakord për një koncept të ri strategjik, i cili e ka veçuar Rusinë si kërcënim të drejtpërdrejtë për sigurinë.

Udhëheqësit e vendeve anëtare të organizatës më të madhe ushtarake në botë pritet të diskutojnë për një gamë të gjerë temash, në mesin e të cilave do të dominojnë përpjekjet e Ukrainës për t’u anëtarësuar në NATO, si dhe pranimi i Suedisë në aleancë.
Gjatë samitit nuk pritet që Ukrainës t’i bëhet ftesë për anëtarësim, gjë që, sipas procedurave të NATO-s, është hapi i parë drejt anëtarësimit të plotë.

Këtë e ka konfirmuar tashmë sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, i cili ka thënë se një gjë e tillë nuk mund të ndodhë derisa lufta në këtë vend vazhdon. Pritjet janë që aleatët të shfaqin disa mospajtime se si t’i qasen këtij problemi në deklaratën përfundimtare. Vendet e Evropës Lindore besojnë se Ukrainës duhet t’i ofrohet një udhërrëfyes, ndërsa ato perëndimore, përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe Gjermaninë, janë më të kujdesshme sa u përket veprimeve që do të mund ta sillnin aleancën më afër luftës me Rusinë.