Plani i SHBA-së: Ukraina, aleate e ngushtë si Izraeli, por pa u anëtarësuar në NATO

Nga Giuseppe Sarcina “Corriere della Sera

Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com

A mund të shkaktojë kriza e fundit në Rusi një perspektivë thelbësore për negociatat e paqes midis Moskës dhe Kievit? Ditët e fundit Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken i ka dhënë zë një opinioni me të cilin janë dakord shumica e qeverive perëndimore.

Gjysmë-revolta e udhëhequr nga kreu i forcave mercenare Wagner, Yevgeny  Prigozhin, ka nxjerrë në pah “të çarat” në sistemin e pushtetit të Putinit. Shumë njerëz mendojnë, ose thjesht shpresojnë, se në këtë pikë presidenti rus do të vendosë të pranojë marrëveshjen me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky dhe bllokun perëndimor që e mbështet atë.

Javët e fundit, amerikanët kanë mbajtur kontakte të ngushta me Kremlinin, qoftë edhe vetëm për të “mbikëqyrur” siç e tha vetë Blinken sigurinë apo mënyrën e pozicionimit të armëve bërthamore. Aktualisht ka shumë diskutime për nisma të tjera diplomatike.

Por deri më tani asnjëri prej tyre nuk ka shënuar ndonjë përparim të dukshëm. Edhe manovrat e kinezëve kohët e fundit kanë rezultuar të jenë një lëvizje e rreme: në thelb Xi Jinping mbetet në një linjë me Moskën.

Pavarësisht se mban presidencën e G20 këtë vit, as India nuk po jep shtysën e shpresuar në raport me bisedimet e paqes, duke zhgënjyer pritshmëritë e përgjithshme.

Kryeministri Narendra Modi lëviz në një mënyrë amfibe: ai bashkëpunon me Shtetet e Bashkuara në rajonin e Paqësorit, por njëkohësisht mban lidhje të ngushta me Rusinë, pa ndërhyrë në atë që ai e konsideron “një çështje evropiane”.

Natyrisht, mbetet të shihet nëse do të sjellë ndonjë rezultat misioni diplomatik i Vatikanit i drejtuar nga kardinali Matteo Maria Zuppi, president i Konferencës së Ipeshkëve Italianë. Zuppi mbërriti në Moskë të hënën për një vizite 3-ditore. Në rendin e ditës është planifikuar edhe takimi me patriarkun ortodoks Kirill.

Nuk dihet ende nëse do të pritet në një takim nga Putin. Por shanset më të mëdha për një dialog të mundshëm janë ende në duart e administratës së Joe Biden, në koordinim të ngushtë me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky. Po nga mund t’ia fillohet?

Ne mund të tentojmë një rindërtim të pozicioneve përkatëse, mbi bazën e informacionit të mbledhur në qarqet diplomatike evropiane dhe amerikane. Për momentin, nga Moska nuk po vjen asnjë sinjal, përveç atyre të dërguara përpara krizës së shkaktuar nga Yevgeny Prigozhin.

Pra deri në këto momente Putini kërkon që Ukraina dhe komuniteti ndërkombëtar të njohin sovranitetin rus mbi 4 rajonet e pushtuara me forcë: Melitopol, Donetsk, Lugansk dhe Zaporizhzhia. Për më tepër, Kremlini kërkon që Ukraina t’i thotë lamtumirë armëve të rënda, duke u shndërruar në një vend të pambrojtur.

Dhe mbi të gjitha të heqë dorë sa më shpejt që të jetë e mundur nga aspirata e saj për t’u anëtarësuar në NATO.

Siç shihet, këto janë kushte qartësisht të papranueshme për Zelenskyn dhe për popullin ukrainas, sidomos tani që ushtria e Kievit po tenton të rimarrë nën kontroll territoret e pushtuara, duke marrë shkas edhe nga “dobësia” e regjimit në Moskë, e vërtetë apo e supozuar qoftë.

Nëse Putini do ta konfirmonte këtë qasje në javët e ardhshme, nuk do të ketë vend për asnjë përpjekje për de-përshkallëzimin e situatës. Shtetet e Bashkuara dhe partnerët e tjerë do të vazhdojnë të dërgojnë bomba në Kiev. Lufta do të vazhdojë “në një mënyrë të përgjakshme”, sa për të cituar shefin e Pentagonit, Lloyd Austin.

Tani le të hedhim një vështrim se çfarë mund të ndodhë në anën tjetër. Presidenti amerikan  Joe Biden përsërit se po vepron sipas sloganit “Asgjë për Ukrainën, pa Ukrainën”. Deri më tani, ai nuk ka dalë asnjëherë hapur me një propozim të qartë. Arsyeja është e qartë: Administrata e tij ka frikë se mund të krijohen përçarje brenda ekipit drejtues në Kiev, dhe më pas edhe brenda Aleancës Atlantike.

Megjithatë, thuhet se diplomacia amerikane po punon së bashku me ukrainasit dhe partnerët e tjerë, për një skemë me variante të ndryshme. Kushti i parë i domosdoshëm për “armëpushimin”, do të ishte tërheqja e menjëhershme e trupave pushtuese ruse.

Andriy Yermak e përsëriti sërish këtë. Pushtuesi duhet të largohet nga Donbass. Ukrainasit do të rifitonin sovranitetin në kufijtë lindorë të vendosur në vitin 1991, viti i pavarësisë së vendit, duke eliminuar kështu edhe republikat e vetëshpallura të Donetsk dhe Lugansk, të krijuara në vitin 2014.

Në këmbim, Kievi mund të heqë dorë nga Krimea, të paktën për disa vite. Kjo është pika më kritike dhe më e vështirë për t’u gëlltitur nga liderët politikë dhe ushtarakë, por edhe nga populli ukrainas.

Në këmbim Shtetet e Bashkuara dhe aleatët perëndimorë do t’i garantonin Kievit një furnizim të vazhdueshëm me armë, duke e kthyer vendin në një fortesë, sipas modelit të Izraelit apo Tajvanit.

Së fundi, në një periudhë afatshkurtër, Ukraina nuk do të anëtarësohej në NATO: një tjetër lëshim i rëndë për ta nxitur Vladimir Putinin të pranojë kompromisin. /albeu.com


Shtuar 29.06.2023 11:48