Spanja “digjet” nga vala e të nxehtit, termometri arrin 44 gradë

Banorët e Spanjës jugore po përballen me valën e parë të rrezikshme të të nxehtit të kësaj vere, pasi termometri arriti 44 gradë Celsius në Sevilje dhe Kordoba sot, të hënën.

Vitet e fundit, valët e të nxehtit janë bërë më të shpeshta në qershor, për shkak të ngrohjes globale që shkencëtarët ia atribuojnë kryesisht faktorit njerëzor. Përfaqësuesi i shërbimit meteorologjik spanjoll AEMET shpjegoi se që nga viti 2011 e deri më sot, gjatë muajit qershor janë regjistruar gjashtë valë të nxehti, krahasuar me vetëm pesë për të njëjtin muaj në 35 vitet e mëparshme.

Temperaturat e larta për këtë sezon pritet të zgjasin deri të mërkurën dhe të prekin, përveç Andaluzisë, edhe Madridin, Extremadurën dhe Castilla-La Mancha.

Tremujori i parë i vitit 2023 ishte më i thati që nga viti 1961 (kur të dhënat filluan të regjistroheshin), sipas shërbimit meteorologjik spanjoll. Një valë temperaturash jashtëzakonisht të larta pasoi në fund të prillit, me termometrin që u ngjit në 38.8 gradë Celsius, që të kujton një valë të nxehti në zemër të verës.


Shtuar 26.06.2023 21:31