145 vjet nga Lidhja e Prizrenit, Begaj në Kosovë: Kemi përgjegjësinë për të respektuar dhe mbrojtur trashëgiminë

Presidenti Bajram Begajn ka qenë ditën e sotme në Prizren me rastin e 145-vjetorin e Themelimit të Lidhjes së Prizrenit.

Begaj tha gjatë fjalës së tij se historia e kombit tonë të lashtë është e pasur me momente të cilat mbushin me krenari, për atë çka shqiptarët janë dhe vlerat që përfaqësojnë.

Ndër të tjera ai e cilësoi Lidhjen si një prej ngjarjeve të jashtëzakonshme, ku patriotët vizionar u bashkuan për të krijuar një qëndresë mbarëshqiptare, kundër shtypjes dhe sundimit.

Fjala e plotë e Presidentit:
Të nderuar autoritete të larta të Republikës së Kosovës,
Të dashur bashkëkombas,
Historia e kombit tonë të lashtë është e pasur me momente, të cilat na mbushin me krenari, për atë çka ne shqiptarët jemi dhe vlerat që ne përfaqësojmë.
Lidhja Shqiptare e Prizrenit është një prej këtyre ngjarjeve të jashtëzakonshme, ku patriotët vizionarë u bashkuan për të krijuar një qëndresë mbarëshqiptare kundër shtypjes dhe sundimit.
Ishte kjo lidhje, që punoi me të gjitha forcat, për të afirmuar kombin tonë dhe për të kundërshtuar copëzimin e trojeve etnike shqiptare.
Ishte kjo besëlidhje, që projektoi krjimin e një shteti shqiptar — të lirë dhe të pavarur.
Sot, tek sa mbushen plot 145 vjet nga themelimi i Lidhjes së Prizrenit, nderojmë me krenari veprimtarinë e lavdishme të atyre që ëndërruan dhe punuan për kombin tonë shqiptar.
Por ndjenjat e krenarisë nuk mjaftojnë. Ne kemi përgjegjësinë për të respektuar dhe mbrojtur trashëgiminë që këto figura historike na lanë neve si trashëgim.

Zhvillimi dhe fuqizimi i popullit shqiptar në të gjitha trojet e tij dhe integrimi ynë në familjen e madhe euro-atlantike është një mision për të cilin të gjithë ne duhet të punojmë bashkarisht.
Dhe për të përmbushur këtë detyrim jemi me fat që të parët tanë përveç gjuhës dhe kulturës na kanë trashëguar edhe miqësi të vjetra e partnerë strategjikë të besueshëm, tek të cilët mund dhe duhet të mbështetemi kurdoherë.
Jo çdo gjë ka qenë e lehtë, por e ardhmja e kombit tonë do të jetë gjithnjë e më e begatë:

-nëse ne luftojmë ndasitë dhe përçarjet mes vetes tonë, mes njëri-tjetrit,

-nëse ne ruajmë boshtin tonë moral,

-nëse nuk harrojmë te shkuarën,

-dhe nëse përçojmë te brezi i ri vlerat e atdhedashurisë dhe miqësisë,

-vlerat e paqes dhe unitetit.

Edhe pse hera-herës rrethanat gabimisht na shtyjnë të mendojmë të kundërtën:

– ja ku jemi mbledhur sot në këtë shtëpi të mbar-shqiptarëve,

– 145 vite nga Lidhja e Prizrenit,

– përsëri të gjithë bashkë,

– gjithmonë të gjithë bashkë.

Rroftë Kombi Shqiptar!

Zoti bekoftë të gjithë bashkëkombasit tanë!

 


Shtuar 10.06.2023 16:23